Futboll

Evertoni i Ançelotit kryeson i vetëm, Bielsa i merr pikë Guardiolës

Fitore të thella në Premier Ligë për Çelsin dhe Evertonin, ndërsa Mançester Siti i Guardiolës është ndalur nga Lidsi i Marselo Bielsës. Çelsi mundi 4-0 Kristal Pallasin dhe të katër golat u shënuan në pjesën e dytë. Çiluell zhbllokoi shifrat pas 50 minutash në ndeshjen e tij të 100-të në Premier Ligë. Ai dhe Zhorzhinjo ishin më të mirët në fushë për skuadrën e Lampard. Braziliani realizoi dy herë me penallti, kurse golin tjetër e shënoi Zuma me kokë.

Për t’u veçuar në këtë ndeshje është rasti i penalltisë së dytë të Çelsit, ku sulmuesi Abraham deshi ta gjuante vetë atë, por kapiteni Azpilikueta ia mori topin dhe ia dorëzoi Zhorzhinjos, gjuajtësit të penalltive, duke respektuasr hierarkinë në skuadër.

Kampionati anglez ka një protagonist të ri këtë sezon, Evertonin e Karlo Ançelotit, që ka regjistruar edhe fitoren e katërt në po kaq ndeshje, duke mundur 4-2 Brajtonin. Një nisje fantastike e kampionatit për këtë skuadër, që ka 12 pikë dhe kryeson bindshëm. Trajneri dhe tifozët janë shumë të kënaqur me rendimentin e Hames Rodriguez, autor i dy golave në fitoren e fundit. Kalvert-Leuin shënoi golin e parë të ndeshjes dhe të 9-tin sezonal. Falë formës së tij të mirë, ai është grumbulluar edhe në kombëtaren angleze. Shënoi në këtë ndeshje edhe mbrojtësi Mina.

Moment nga ndeshja Lids-Mançester Siti, 1-1. Gazeta Si, 4 tetor 2020

Sfida e maestrove Guardiola-Bielsa u mbyll në barazim, 1-1. Edhe pse nën shi, ndeshja ishte shumë e bukur, e fortë deri në fund. Mançester Siti shënoi me Stirling që në minutën e 17-të, por pas minutës së 30-të ishte Lidsi protagonist. Në pjesën e dytë Bielsa hodhi në fushë edhe Rodrigon, i cili përfitoi nga një gabim i Edersonit dhe barazoi shifrat në 1-1. Lidsi pati një rast të artë për ta fituar ndeshjen me Bamford, po ai u ndal nga dalja e portierit Ederson. Lidsi e dominoi ndeshjen, duke pasur 52% të kontrollit të topit dhe gjuajti 7 herë në portë, kurse Siti 3 herë. Ekipi i Guardiolës mbetet në kuotën e 4 pikëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë