Ka ndodhur

Familja e denoncoi të humbur, gjendet i mbytur në liqen 13-vjeçari në Dibër

Gazeta Si – Një 13-vjeçar është gjetur i pajetë në liqenin e fshatit Shumbat të Dibrës pak pasi u denoncua i humbur në polici nga familjarët.

Policia njofton se nga veprimet e para hetimore, dyshohet se i mituri është mbytur aksidentalisht. Nga këqyrja paraprake, në trupin e 13-vjeçarit nuk janë gjetur shenja dhune apo dëmtime të tjera.

Mbrëmjen e djeshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër pas kallëzimit të xhaxhait të 13-vjeçarit për humbjen e nipit, kanë nisur kërkimet në zonën e fshatit Shumbat, bazuar në informacionet se adoleshenti ishte parë afër liqenit të këtij fshati.

Pas rreth 2 orësh kërkime është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja nga liqeni i fshatit Shumbat, e trupit të pajetë të 13-vjeçarit.

Sipas deklaratave të banorëve, ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 17:30-18:00, ndërsa trupi është gjetur rreth orës 23:00.

Pas orës 21:30 familjarët kanë filluar kërkimet për 13-vjeçarin, pasi ai nuk ishte kthyer në banesë. Fillimisht është kërkuar tek shokët, pasi nuk mendohej të ishte mbytur.

Rreth orës 22:30 është bërë denoncimi në polici. Menjëherë pas marrjes së denoncimit, policia ka mbëritur në zonë për 15 minuta, aq sa është largësia nga qyteti.

Një fshatar ka parë mbi liqen një objekt që dukej si mbetje dhe pasi e ka nxjerrë, është konstatuar se ishte 13-vjeçari.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë