Vera si stina më e preferuar e të rinjve ka dhe një dilemë të madhe: ku do të kalojnë ditët, fundjavat dhe gjithë sezonin?
Përfaqësues të agjencisë Outing Albania tregojnë për Gazetasi.al se shumica e njerëzve që bëhen pjesë në këto aktivitete janë mbi 20-vjeç dhe pak janë grupe nxënësish që bashkohen. Edhe në rastet e rralla kur ka grupe nxënësish, janë të organizuar nga mësues dhe është një ekskursion që e bëjnë një herë dhe pastaj jo më.
“Përgjithësisht janë 20-vjeçarë e më shumë që bëhen pjesë e grupeve tona”, thonë përfaqësuesit.
Ku i kalojnë pushimet të rinjtë që nuk duan të bëjnë Hiking apo Camping, aktivitete të organizuara nga agjencitë?
Seldi I., 17-vjeçar tregon se deri këtë vit pushimet i ka bërë me familjen e tij në jug të vendit por këtë vit ka vendosur të bëhet “i pavarur”.
“Nuk më kanë lënë asnjë vit të shkoj vetëm apo me shoqërinë me pushime edhe pse kam mundësi. Këtë vit ju kam thënë që në prill se do ti bëj pushimet pa ato, pas një “lufte” të madhe me prindërit”, tregon ai.
Ai do të lëvizë me shoqërinë e tij në të gjithë vendin për 10 ditë. Kanë menduar të shkojnë në disa vende ku do të qëndrojnë 1 ditë dhe 1 natë apo dhe 2.
Ku do të flenë? Në makinë, nëse nuk gjejnë shtëpi për çdo lëvizje që do të bëjnë në vende të ndryshme, shtëpi që duhet të jetë lirë.
Klaudio, një tjetër i ri, 15 vjeç thotë për gazetasi.al se deri tani ka qenë “i detyruar” të bëjë udhëtime me familjen e tij dhe për shkak se nuk ka mundësi të bëjë vetëm një udhëtim që kushton shumë dhe nuk mund të marrë përsipër një udhëtim vetëm, me shpenzime të mëdha. Një tjetër pengesë është dhe mungesa e besimit të prindërve të tij për ti dhënë frenat e një udhëtimi vetëm, aq më shume me shoqërinë.
“Me shoqërinë ikim vetëm në plazh ndonjë ditë dhe kjo pasi mami është siguruar mirë që të dijë se me kë jam, ku do të iki dhe sa do të rri”.
Përfaqësues të tjerë agjencish tregojnë se të rinj të moshave 15-20 vjec nuk bëhen kurrë pjesë e udhëtimeve të tyre. Në raste të rralla kur ndodh, janë familjarët ato që interesohen për cdo gjë dhe “vendosin”.
Psikologia Nereida Llaha thotë për Gazetasi.al se duke qenë se kemi dy grupmosha të ndryshme, edhe arsyet apo qëndrimet janë të ndryshme. Ajo që padiskutim e bashkon këtë çështje është konteksti kulturor.

“Nëse do ndaleshim tek grupmosha e parë për fëmijët adoleshentë që futen në grupmoshën nga 14 deri në moshën 18 ekziston mendësia që është një periudhë e vështirë sepse fëmijët janë të rrezikuar dhe kur flasim për rrezik kemi të bëjmë me mungesën e kontrollit ose paaftësinë për të menaxhuar veten përballë tundimit që shfaqin marrëdhëniet seksuale, përdorimi i drograve, alkoolit etj”, shpjegon Llaha.
Arsyeja pse prindërit për grupmoshën e adoleshencës kanë vështirësi për ti lënë ata të pavarur që të bëjnë pushime vetëm është frika apo pasiguria mbi sigurinë e jetës apo shëndetit të tyre psikoemocional.
Arjeta, një 35-vjeçare në Tiranë është mami i një djali 16 vjec dhe tregon se djali i saj nuk ka bërë kurrë pushime vetëm thjesht sepse ka frikë.
“Nëse djali im do të shkonte me pushime me shoqërinë e tij, me siguri do e merrja në telefon cdo orë nga meraku se nuk i dihet çfarë ndodh. E kam merak dhe kur jemi me pushime bashkë, jo më ta lë vetëm”, tregon Arjeta.
Ndërsa përsa i përket moshës 18-20 vjeç sipas psikologes, të cilët shumë prej tyre vazhdojnë të bëjnë pushime me prindërit, ka dy drejtime kryesore.
Së pari sepse shumë nuk arrijnë dot të kenë një grup apo rreth shoqëror me të cilin mund të angazhohen, mund të organizohen për pushime të gjata. Një arsye tjetër mund të jetë sepse siç dihet, në Shqipëri adoleshentët janë të varur nga familja përsa i përket anës ekonomike.
A është kjo e dëmshme? Sigurisht që është e dëmshme pasi dhe kur flasim për fëmijët e moshës së hershme, adoleshentë dhe më pas të rinjtë kanë nevojë për hapësirat e tyre. Ajo çfarë mund të bëjnë prindërit për të nxitur privatësinë dhe zhvillimin e fëmijëve, për të respektuar hapësirat e fëmijëve është që ti lejojnë të përfshihen në aktivitete të tilla pasi kështu rrisin vetëvlerësimin e fëmijëve dhe bëjnë që ata të jenë të aftë për krijuar dhe zhvilluar marrëdhënie ndërpersonale.
Shume prindër ende e kanë të panjohur konceptin e respektimit të kufijve apo hapësirave personale të fëmijës, qoftë i vogël, adoleshent apo i ri. Pra kujdesi në dukje është në veprim i mirë apo mbrojtja më e mirë por nga ana tjetër është një problem i madh i cili pengon mbarëvajtjen dhe zhvillimin e personalitetit të fëmijës.

Sociologe Entela Binjaku thotë për Gazetasi.al se mosbesimi lind nga pasiguria e mjedisit ku shkojnë dhe kjo vjen edhe për shkak të informacionit që marrin prindërit, opinioni të cilët shtojnë ankthin.
Një tjetër arsye janë dhe ngjarjet që shfaqen e trajtohen në media.
“Ngjarjet janë aq të shpeshta sa krijojnë edhe psikoza shoqërore”, thotë Binjaku.
Gjithashtu, prindërit i stepen impulsivitetit të moshës apo dhe shpesh u frikësohen humbjes së kontrollit mbi fëmijët si dhe rritet pasiguria sepse edhe fëmijët apo adoleshentët vijnë nga familje me shumë probleme apo konflikte dhe ndodh që prindërit nuk e kanë qetësinë e duhur për ti edukuar.
Gjithsesi, fëmijët e grupmoshës 15-20 vjeç duhet të bëjnë pushime vetëm apo me shoqërinë pavarësisht “obobo do qëndrojë fëmija larg familjes për disa ditë, javë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje