Qeveria propozon ndryshimin e skemës mbështetëse për fëmijët e personave që humbin jetën sipas parashikimeve të ligjit për statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, duke e rregulluar këtë me një ligj të ri. Projektligji për statusin fëmijë në përkujdesje të Republikës është i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe është hedhur për konsultim publik.
Në objektin e tij thuhet se ky status mund të përfitohet nga fëmijët që kanë humbur njërin, ose të dy prindërit, apo kujdestarin e kujdestarët ligjorë “në përpjekje për mbrojtjen e pronës publike, mbrojtjen e jetës së individit, gjatë apo nga një akt terrorist, për shkak të plagëve të marra apo të sëmundjeve të marra si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të detyrës dhe ushtrimit të profesionit në kushte të jashtëzakonshme apo nga një akt dhune gjatë ushtrimit apo për shkak të detyrës dhe në lidhje të drejtpërdrejtë me ushtrimin e saj”.
Ministria thotë se “ky ligj garanton mirëqenien dhe zhvillimin e jetës së fëmijës, nëpërmjet ndihmës dhe përkujdesjes efektive të shtetit, bazuar në interesin më të lartë të fëmijës”. Skema mbështetëse materiale e financiare për këtë kategori shtrihet deri në moshën 18-vjeçare për ata që nuk ndjekin arsimin e lartë. Për këtë pjesë, kjo skemë shkon deri në moshën 25-vjeçare, ndonëse e reduktuar.
Sipas propozimit, fëmija që merr statusin e fëmijës së Republikës përfiton trajtim financiar mujor në masën 50 për qind të pagës mujore me të lartë të prindit që ka humbur jetën, pavarësisht nga periudha e sigurimit të të ndjerit. Personi, që gëzon statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, në rastin e përfitimit të trajtimit financiar sipas parashikimeve të ligjeve të tjera, ka të drejtë të zgjedhë trajtimin financiar më të favorshëm. Pagesa e trajtimit financiar sipas kësaj pike do të kryhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Fëmija përfiton shërbim falas shëndetësor e spitalor në institucionet shëndetësore publike apo kur është e nevojshme edhe private. Përfiton shkollim falas dhe pajisje falas me materialet shkollore përgjatë gjithë ciklit të plotë arsimor e parauniversitar në institucionet publike të arsimit parashkollor dhe parauniversitar deri në ciklin e tretë të studimeve; Përfiton automatikisht bursë të plotë nga shteti kur fitojnë të drejtën e ndjekjes së arsimit të lartë publik;
Gjithashtu, në rastet kur përfundojnë studimet universitare, kjo kategori përfiton trajtim preferencial për punësim në administratë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje