Komunitet

Femrat shqiptare po i përdorin më pak kontraceptivët

Shqipëria është vendi me përdorimin më të ulët të kontraceptivëve në rajon. Veçanërisht gratë që jetojnë në zona rurale dhe të thella dhe gratë rome dhe egjiptiane, përballen me qasje të kufizuar në kujdesin shëndetësor parësor dhe në shërbimet e kujdesit shëndetësor seksual dhe riprodhues, dhe shpesh nuk janë të vetëdijshme për disponueshmërinë e shërbimeve të tilla. 

Sipas një sondazhit “Albania Demographic and Health Survey” për shëndetin dhe për demografinë e vendit, përdorimi i mjeteve kontraceptive moderne midis grave aktualisht të martuara ka rënë nga 11 përqind në 2008 në 4 % në 2017, duke u konsideruar si vendi me përdorimin më të ulët të kontraceptivëve në rajon.

Vetëm 9 përqind e popullsisë në moshë aktive seksuale përdor metodat moderne të planifikimit familjar.

Edhe sipas Dokumentit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues 2017-2021, niveli i përdorimit të metodave moderne kontraceptive në Shqipëri, aktualisht është ende i ulët krahasuar me vende të tjera dhe larg objektivave të të Ministrisë së Shëndetësisë.

Të rinjtë, përdorim të gabuar të kontraceptivëve të urgjencës

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, përdorimi i metodave moderne të kontraceptivëve nuk është rritur këto 2-3 vitet e fundit.

“Është vënë re përdorim i qëndrueshëm, por në disa raste është treguar rënie e përdorimit të tyre. Shkalla e Mbulimit me Kontraceptivë (CPR) është jo më shumë se 4-5% sipas raportimeve të SIML në ISHP.”, – vërehet në këto të dhëna.

Në treg funksionojnë dy operatorë të tjerë si: NESMARK, organizatë social-marketingu, që ofron prezervativë dhe sektori privat që ofron prezervativë, kontraceptivë oralë, kontraceptivë të emergjencës dhe DIU3. Edhe nga këta dy sektorë raportohet përdorim i ulët i kontraceptivëve. Në disa raste të dhënat tregojnë që të rinjtë përdorin metodat kontraceptive të urgjencës në mënyrë të gabuar, por për këtë moshë nuk ka të dhëna për IST-të, abortin dhe shtatzëninë e padëshiruara.

Pasoja: Rritet lindshmëria nën moshën 20 vjeç

Edhe pse lindshmëria dhe indeksi sintetik i fekonditetit ka pësuar rënie të vazhdueshme, lindshmëria në moshë specifike nën 20 vjeç është rritur nga 0.016 në vitin 1989 në 0.018 në vitin 2001 dhe 0.020 në vitin 2011. Nga ana tjetër, edhe pse numrat absolut të lindjeve nga adoleshentet janë relativisht të vegjël: 2.8 mijë në vitin 2011 dhe po bien për shkak të shifrave në rënie të grave të grup-moshës 15-19 vjeç, tendenca në rritje e lindshmërisë te adoleshentet është diçka që kërkon vëmendje nga politikëbërësit e fushës së shëndetësisë.

Sipas raportit, aksesi i adoleshentëve në metodat moderne kontraceptive nga sektori publik paraqitet i vështirë, sepse ky grup nuk i frekuenton këto shërbime, për arsye se ato ofrohen në klinika dhe maternitete dhe akoma më pak në qendrat shëndetësore në zonat rurale.

Ndërsa sipas specialistëve, shpjegimi për rënien e lindshmërisë në përgjithësi, ndërsa ka rënë përdorimi i kontraceptivëve, ndoshta kërkon studime specifike kërkimore për të gjetur arsyen e duhur, megjithatë, diçka e tillë na bën të mendojmë se kjo mund të lidhet edhe me rritje të numrit të aborteve.

Njohuritë nuk mungojnë, problem zbatimi në praktikë

Sipas të dhënave te Studimit Demografik dhe Shëndetësor (ADHS, 2008/09) rezultoi se njohuritë mbi metodat e planifikimit familjar janë thuajse të plota në Shqipëri, ku rreth 99% e të intervistuarve të moshës 15-49 vjeç njohin të paktën një metodë të planifikimit familjar (moderne apo tradicionale). Në përgjithësi, femrat (sidomos ato të martuara) kanë më shumë njohuri dhe informacion se meshkujt për sa u përket këtyre metodave.

Në 2008-09 raportohet që vetëm 10.6% e grave të martuara kanë përdorur një metodë moderne kontraceptive, kundrejt 58.7% që kanë përdorur një metodë tradicionale.

Kjo shifër nënkupton një rritje të vogël të shkallës mbizotëruese të kontraceptivëve modern me 8% në krahasim me vitin 2002.

Mes grave të reja të martuara të grup-moshës 15-29 vjeç, përqindja e atyre që përdorin kontraceptivët modern është disi më e lartë në vitin 2008-09 me 12.9%.

Përdorimi aktual i kontraceptivëve modern nga gratë jo të martuara, por seksualisht aktive ka qenë mjaft më i lartë në atë kohë me 28.7%.

Për vitin 2014, Sistemi i Informacionit dhe Menaxhimit Logjistik (SIML) i Institutit të Shëndetit Publik raportoi që nga të katër metodat, DIU-ja ishte më e përdorura (34%), e ndjekur nga pilulat (25%), injeksionet dhe prezervativët që përdoren më rrallë (secila me rreth 20%).

Nevojat e paplotësuara për Planifikim Familjar

Në rajonin europian, nevojat e paplotësuara për Planifikim Familjar luhaten nga 5-23%. Në Shqipëri, 13% e femrave të martuara kanë një nevojë të paplotësuar për planifikim familjar, 3% për distancim të lindjeve dhe 9% për kufizim të lindjeve. Nevoja e paplotësuar për planifikim familjar është më e lartë te femrat më të reja të grupmoshës 15-29 vjeç (17-18%). Sikurse u përmend, treguesit e planifikimit familjar të analizuar nga të dhënat e sistemit të informacionit flasin gjithsesi për ulje të përdorimit të metodave moderne kontraceptive. Në analizën e tre viteve të fundit kjo rënie në përdorim shpjegohet me arsyet dhe problemet që ka vetë sistemi lidhur me: sasitë e prokuruara, disponueshmërinë e fondeve të nevojshme, mungesën për një periudhë prej gati dy vjet të metodave të caktuara.

“Mungesa në disa raste e kontraceptivëve në nivel qendror, si dhe problemet me ofrimin e shërbimit të PF-së nga personeli shëndetësor, janë disa nga shkaqet për një përdorim të ulet të metodave moderne kontraceptive. Nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh edhe faktin, që një pjesë e popullatës pajiset me metodën direkt në farmaci, duke shmangur shërbimin publik falas, me mendimin se këto të fundit janë më pak cilësore.  Vlerësimi i performancës do të ishte një nxitje për ta rritur interesin për këtë shërbim.”, – vërehet në Dokumentin Strategjik të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që referencat e marra u përkasin të dhënave nga “Global perspectives on unplanned pregnancies a framework for action from the world contraception day (wcd) coalition”, të dhënave nga INSTAT, nga ISHP, nga WHO Europe, United Nations etj.

Sipas specialistëve hartues të Dokumentit Strategjik, monitorimi dhe vlerësimi i vazhdueshëm i hallkave të funksionimit të sistemi të menaxhimit të kontraceptiveve do të ndihmojë në përmirësimin e ofrimit të shërbimit të PF-së dhe do të minimizojë mungesën e tyre në këtë nivel. Shërbimet e Planifikimit Familjar kanë filluar aktivitetin me VKM. Nr. 226 në Shqipëri në vitin 1992, ku u miratuan aktivitetet e PF-së dhe aborti u bë i ligjshëm. Aktualisht shërbimet e PF-së në Shqipëri, që ofrohen në sistemin shëndetësor publik, janë të shpërndara në tre nivelet e kujdesit shëndetësor: Niveli i kujdesit shëndetësor parësor: në 426 qendra shëndetësore në qytet e fshat; në spitalet: qendrat e PF-së të përfshira në maternitetet e rretheve në sistemin shëndetësor public dhe në qendrat e grave pranë spitaleve Universitare Obstetrik-Gjinekologjik në Tiranë (materniteti “Nëna Geraldinë” dhe ai “Koço Gliozheni”).

Qendrat e Planifikimit Familjar që gjenden të integruara në qendrat shëndetësore në Kujdesin Shëndetësor Parësor janë të furnizuara me disa lloje kontraceptivësh modern (pilula, injeksion, spirale dhe prezervativ) që ofrohen falas. Sektorë të tjerë të rëndësishëm në ofrimin e metodave moderne kontraceptive janë: sektori privat, ku metodat moderne ofrohen sipas çmimeve të tregut; sektori i marketingut social që ofron metoda moderne me çmime të subvencionuara, si dhe sektori i OJF-ve (ato OJF që punojnë në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues), që ofron metoda moderne kontraceptive falas për grupet e margjinalizuara dhe vulnerabël, përfshirë edhe të rinjtë.

Problematika e Planifikimit Familjar në Shqipëri

Fertiliteti dhe lindshmëria në Shqipëri kanë rënë dhe vazhdojnë të bien ndjeshëm

Madhësia ideale e familjes është duke u ulur.

Të dhënat e fundit të INSTAT-it sugjerojnë se ka një rritje të lindshmërisë te grup-moshat e adoleshentëve.

Përdorimi i metodave moderne kontraceptive mbetet ende në nivel të ulët.

Nevojat e paplotësuara për kontracepsionin janë ende në përqindje të lartë te gratë e moshës riprodhuese.

Aktiviteti seksual te të rinjtë është shtuar.

Shërbimet e planifikimit familjar janë të shtrira deri në nivel qendre shëndetësore dhe jo në nivel ambulancash.

Megjithëse aksesi gjeografik është rritur ndjeshëm, ende ka nevojë të punohet për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.

Prej vitit 2009 nuk janë ndërmarrë programe trajnimi mbarëkombëtare në fushën e PF-së.

Prej vitit 2011 nuk janë ndërmarrë fushata ndërgjegjësuese në fushën e PF-së.

Ende ka mangësi në kapacitetet e specialistëve të SIML, si dhe ofruesve të shërbimeve të PF-së në fushën e raportimit dhe parashikimit të nevojave për kontracepsion.

Mungon një strategji formale për ndarjen e tregut të kontraceptivëve në Shqipëri.

Mungojnë të dhëna për shitjet e kontraceptivëve nga sektori privat.

Mungojnë të dhëna nëse largimi nga tregu i disa produkteve kontraceptive të ofruara nga marketingu social NESMARK është zëvendësuar nga sektori privat.

Në botë

E drejta për Planifikim Familjar (PF) është miratuar zyrtarisht në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në vitin 1966, megjithatë niveli i shtatzënive të paplanifikuara ende mbetet një shqetësim madhor global, veçanërisht te moshat e reja. Planifikimi Familjar ka një ndikim të rëndësishëm në shëndetin riprodhues pasi ai vepron në tre komponentë që janë: Shëndeti i nënës duke distancuar lindjet; mënjanuar shtatzënitë e paplanifikuara nëpërmjet përdorimit të metodave kontraceptive. Shëndeti i fëmijës duke i krijuar mundësi reale nënës për përkujdesjen ndaj fëmijës. Mbrojtja nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, HIV dhe AIDS nëpërmjet edukimit shëndetësor dhe mjeteve kontraceptive, që ndikojnë në parandalimin e tyre. Për shumë gra, përfshirë edhe ato që dëshirojnë të kenë fëmijë, kontracepsioni nuk është një zgjidhje; është një e drejtë dhe nevojë bazë shëndetësore. Sipas specialistëve të shëndetësisë, planifikimi familjar vullnetar, duke përdorur metoda të sigurta dhe efektive kontraceptive, ofron përfitime të mëdha në aspektin shëndetësor ekonomik dhe social për familjet dhe komunitetin. Në nivel botëror në vitin 2015, 64% e grave të martuara ose në bashkëjetesë përdornin një formë kontracepsioni. Të paktën 1 në dhjetë gra të martuara në shumë rajone të botës kanë nevoja të paplotësuara për PF. Në gjithë botën në vitin 2015, 12% e grave të martuara ose në bashkëjetesë kanë nevoja të paplotësuara për PF. Prevalenca e metodave specifike ndryshon gjerësisht në botë. Të dhënat për vitin 2015 tregojnë se sterilizimi femëror dhe DIU-ja janë metodat më të shpeshta që përdorin gratë e martuara ose ato që bashkëjetojnë në botë. Në vitin 2015, 19% e grave të martuara ose atyre që bashkëjetojnë përdornin sterilizimin femëror dhe 14% DIU-në. Në vitin 2015 në nivel botëror, metodat afatshkurtra janë më pak të përdorura: 9% e grave përdornin pilulën, 8% kondomin mashkullor dhe shumë më pak kontracepsionin injektabël. Në botë vetëm 6% e grave të martuara ose që bashkëjetojnë përdornin metodën e tërheqjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë