Futboll

Ferdinad : Menduam vdekjen dhe po qanim tek Anglia!

Për ata që luajnë futboll në nivel ndërkombëtar, pamja nga dritarja e vogël e avionit është diçka shumë e zakonshme. Udhëtohet vazhdimisht, shpesh nga njëra anë e kontinentit në tjetrën, për të luajtur në stadiume dhe qytete të njohura. Por ka raste, kur një transfertë është e destinuar të kthehet në një histori të dhimbshme, në një tragjedi. Torino, Mançester Junajtid, Çapekoense janë vetëm tre emra ekipesh që sjellin në mendje avionë të rrëzuar dhe njerëz që kanë humbur jetën tragjikisht. Rio Ferdinand ka rrëfyer së fundi se në këtë listë do të kishte qenë edhe kombëtarja e Anglisë, që në vitin 2006 i shpëtoi mrekullisht aksidentit ajror, pas një udhëtimi që u kthye në makth…

Ish-mbrojtësi i Anglisë dhe Mançester Junajtid ka rrëfyer për “Sun” një fluturim, që askush nuk mund ta fshijë nga memoria. “Tre Luanët” po ktheheshin nga Gjermania, pasi ishin eliminuar nga Portugalia. Në teori një udhëtim i shkurtër, në praktikë një makth. “Udhëtimi më i keq që mund të imagjinohet. Na rastisi një mot i tmerrshëm dhe të gjithë menduam se do të vdisnim. Po qanim të dëshpëruar. Unë isha ulur pranë Runit dhe Xherrardit, që ishin me bashkëshortet e tyre. Të gjithë ulërisnim nga frika. Ishin turbulenca të tmerrshme, që nuk na kishin ndodhur kurrë më parë. Diçka absurde, bagazhet fluturonin dhe personat përplaseshin sa andej-këndej. Askush nuk po e kuptonte çfarë po ndodhte”, – tregon Ferdinand. Edhe lojtarë si ai, Bekham dhe Lampard, të mësuar edhe me fluturime të gjata dhe të vështira, u frikësuan për vdekje.

Rio Ferdinand, duke rrëfyer historinë e frikshme

Ferdinand thotë më tej se mendoi më të keqen: “Po, mendova se ishte fundi. E mendova këtë gjë pasi pashë fytyrat e stjuardesave. Mund ta kuptosh shpesh sa e rëndë është situata nga shprehja e fytyrës së tyre. I pashë që ishin ulur në vendet e tyre dhe po qëndronin të ngrira. Me siguri po mendonin: morëm fund! Zakonisht jam shumë i qetë në situata të tilla, por pasi pashë ato fytyra, u mbërtheva nga paniku”. Por në fund të gjithë kanë marrë frymë lirisht. Pavarësisht atyre tronditjeve të tmerrshme të paparashikuara, avioni u ul në Angli. Futbolli botëror, për mrekulli i ka shpëtuar një tjetër tragjedie, ku në pak minuta rrezikoi të humbte një tjetër gjeneratë të artë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë