Kosova ka tashmë një kampion të ri. Është Feronikeli, që në javën e fundit mundi 1-0 rivalin direkt, Prishtinën. Diferenca mes dy skuadra para kësaj ndeshjeje ishte 2 pikë në favor të Feronikelit dhe Prishtinës, që drejtohet nga trajneri Mirel Josa, i bënte punë vetëm fitorja, por nuk ia arriti qëllimit. Ndeshja u vendos nga një gol i shënuar në pjesën e dytë nga mesfushori Ylli Hoxha, i aktivizuar në Shqipëri me Kukësin dhe me Flamurtarin.
Feronikeli, me 80 pikë të grumbulluara në këtë kampionat, fiton titullin e tretë në histori, duke i rrëmbyer kurorën Dritës. Atmosfera e krijuar nga tifozët në stadiumin “Rexhep Rexhepi” të Drenasit ishte fantastike. Festë në Drenas dhe zhgënjim i madh në anën tjetër, ku Prishtina sërish dështoi në përpjekjet për të fituar titullin kampion. Trajneri Mirel Josa nuk foli pas ndeshjes, por u largua nga stadiumi tejet i mërzitur. E ardhmja e tij është në dyshim të fortë te Prishtina. Urime për titullin kampion Feronikeli ka marrë nga drejtuesit më të lartë në vend, por edhe nga tifozët e Prishtinës, të cilët gjithë inatin e kishin me ekipin e tyre.

Trajneri i Feronikelit, Zekirija Ramadani, edhe ai me një të kaluar në Superiore si trajner i Flamurtarit, mes entuziazmit të titullit kampion, u shpreh: “Është një moment i veçantë dhe jam shumë i emocionuar. Titullin e kemi merituar dhe është arritur falë ndihmës që kanë dhënë të gjithë. Kemi kryesuar gjatë gjithë sezonit dhe kemi treguar se jemi ekipi më i mirë në Kosovë, ndaj dhe e them me bindje se e kemi merituar titullin”, – tha për mediet kosovare trajneri Ramadani. Feronikeli ka dominuar këtë sezon në Kosovë. Sulmuesi i këtij ekipi, Kastriot Rexha, është shpallur golashënuesi më i mirë i kampionatit me 22 gola. Tani skuadra nga Drenasi duhet të përgatitet sa më mirë për një përfaqësim dinjitoz në Champions League.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje