Mbrëmje e bukur për Tomas Strakoshën, Igli Taren dhe gjithë tifozët e Lacios. Skuadra e portierit kuqezi ka mundur thellë Romën në derbi, me rezultatin 3-0. Një triumf plotësisht i merituar i Lacios, me Strakoshën protagonist gjatë pjesës së dytë, kur ai bëri disa pritje vendimtare. Një dëmtim në shpatull i portierit 23-vjeçar ka vënë në merak stafin e Lacios dhe atë të Kombëtares së Shqipërisë, por shpresohet që të mos jetë diçka serioze. Pas fitores impresionuese në derbi, në stadiumin “Olimpico” ka pasur një festë me tifozët me shqiponjë, që është simboli i Lacios.
Tomas Strakosha është vlerësuar me notën 7 nga shtypi italian për paraqitjen në derbin me Romën, ku Lacio fitoi pastër 3-0. Një notë e lartë për portierin kuqezi, vendimtar në pjesën e dytë me disa pritje shpëtimtare. “Një pjesë e parë me popcorn për portierin e Lacios, por ai ishte vendimtar në pjesën e dytë. Janë të paktën tre pritjet shpëtimtare të tij, që e mbajtën Lacion në avantazh dhe demoralizuan Romën në përpjekjet për të barazuar”, – shkruan portali “Tuttomercatoweb” për paraqitjen e “gardianit” kuqezi në derbi.

Por ajo që shqetëson në këtë moment është gjendja fizike e portierit. Strakosha ka pësuar një dëmtim në shpatull gjatë një përplasjeje me sulmuesin e Romës, Edin Xheko. Ai e ka përfunduar ndeshjen dhe duket se dëmtimi nuk është shumë shqetësues, por stafi mjekësor i Lacios nuk ka dashur të nxitohet në deklaratën për shkallën e dëmtimit, duke bërë me dije se portieri do të mbahet nën kontroll. Pas analizave përkatëse do të mësohet më shumë për këtë dëmtim. Shpresohet që të jetë diçka e lehtë, pasi po afron edhe ndeshja me Turqinë dhe trajneri Panuçi duhet ta ketë gati portierin titullar të Lacios.
Lacio mban vendin e 6-të në Serinë A, pas 25 javësh. Ky është vendi i fundit që të çon në Ligën e Europës, por skuadra e Strakoshës ka ende shanse të fitojë nj trofe, Kupën e Italisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje