Futboll

Fidan Aliti shkon në Suedi, 150 mijë euro për Skënderbeun

Fidan Aliti është emri i fundit që shtohet në listën e lojtarëve të shitur nga Skënderbeu në kampionate të huaja. Mbrojtësi kosovar do të luajë tani e tutje me Kalmarin në Suedi dhe nga ky transferim, në arkat e klubit korçar do të shkojnë 150 mijë euro. Nuk është një shifër e lartë, por duke ditur që futbollistit në fjalë i përfundon kontrata në fund të sezonit, mund të konsiderohet një lëvizje e mirë.

Skënderbeu do të mbajë gjithashtu edhe 25% të vlerës së kartonit të futbollistit, që do të thotë se nëse Kalmari e shet në të ardhmen Alitin, klubi korçar përfiton sërish financiarisht. Një politikë e ndjekur kjo edhe me futbollistë të tjerë në të kaluarën. Kampionati shqiptar humbet kështu një nga mbrojtësit më të mirë. Kosovari ka qenë titullar i padiskutueshëm me Skënderbeun këtë sezon. Ai erdhi te kjo skuadër verën e vitit 2017 dhe pati një rritje të konsiderueshme. Shitja e tij ishte vetëm çështje kohë për Skënderbeun, duke pasur parasysh ofertat për të. Vitet e fundit Skënderbeu ka shitur disa lojtarë, siç janë Peter Olajinka, Bernard Berisha, Liridon Latifi, Xhejms Adeni, Kristal Abazaj etj. Shitje që kanë mbushur arkën e klubit dhe kjo është një politikë që Skënderbeu vazhdon ta ndjekë, duke afruar lojtarë me kualitet, për t’i shitur më pas jashtë vendit.

Fidan Aliti (numri 6) në stërvitje me Skënderbeun

Trajnerit Orges Shehi i është hapur një problem tashmë: i duhet të vendosë për zëvendësuesin e Alitit, i cili me shumë mundësi do të jetë afrikani Kaba Sambou. Fidan Aliti gjen në kampionatin suedez mbrojtësin e Kombëtares, Egzon Binaku, i cili aktivizohet me Malmoen. Mbrojtësi është titullar edhe me kombëtaren e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë