Futboll

FIFA planifikon Botërorë dhe Europianë çdo 2 vjet, por UEFA del kundër

Ideja e hedhur nga Arsen Venger për të organizuar Botërorin çdo dy vjet është përqafuar nga FIFA, që po e studion këtë revolucion, por duke nisur nga viti 2027. Madje edhe Europiani bën pjesë te ky revolucion dhe mund të zhvillohet gjithashtu çdo dy vjet, me kalendarë të ndryshuar thuajse tërësisht. Në anën tjetër, UEFA është kundër dhe mjaft e shqetësuar për këtë projekt.

Studimi ka nisur. Botërorët dhe Europianët do të zgjasnin 5-6 javë sipas këtij projekti, me një nivel kompetitiv shumë të lartë. Objektivi është që projekti të aprovohet në kongresin e FIFA-s në maj, edhe pse deri në 2026-ën nuk mund të ndryshojë asgjë, duke ditur që në Majemi po përgatisin Botërorin 2026, që do të zhvillohet në USA, Kanada dhe Meksikë.

Xhani Infantino, presidenti i FIFA-s. Gazeta Si, 4 shtator 2021

Në këtë pikë, i gjithë kalendari futbollistik ndryshon, plani i FIFA-s parashikon 10 muaj aktivitet, 1 muaj pushim dhe 1 muaj për përgatitjen fizike. Kampionatet kombëtarë do të nisnin mes gushtit dhe shtatorit, vetëm dy pauza për kombëtaret në tetor dhe mars, në janar Botërori i Klubeve dhe në verë Botërori ose Europiani.

Ku qëndron problemi? Ky organizim do të linte vetëm 53 data për kampionatet kombëtare dhe kupat europiane për klubet, 10 më pak se tani. Këtu lindin dyshimet e mëdha të UEFA-s, pa llogaritur dyshimet e futbollistëve, të cilët do të luanin më shumë ndeshje.

Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-s. Gazeta Si, 4 shtator 2021

Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, ka thënë se është shumë i shqetësuar për planet e FIFA-s për organizimin e Botërorit çdo dy vjet dhe është i habitur për mungesën e konsultimit nga ana e presidentit Xhani Infantino. Në një letër të publikuar nga “Associated Press”, ku i përgjigjet drejtorit ekzekutiv të “Football Supporters Europe” Ronan Evain, Ceferin shkruan për dëmet që do të shkaktonte për kompeticionet kombëtare dhe kontinentale organizimi çdo dy vjet i Botërorit. “UEFA dhe federatat e saj kanë rezerva të forta për planet e FIFA-s”, – shkruan Ceferin mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë