Në Kosovë numri i të infektuarve me Covid-19 ka arritur tanimë zyrtarisht në 362 raste. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar mbrëmjen e së dielës zbulimin e 79 rasteve të reja me koroanvirus. Sipas institutit të gjitha rastet janë persona kontakti të rasteve të mëhershme. Deri më tani ka 59 pacientë të shëruar dhe shtatë kanë vdekur.
Ekspertët në Prishtinë parashikojnë që numri i të infektuarve dhe ai i viktimave do të rritet ndjeshëm gjatë ditëve në vijim.
Eksperti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Merkur Beqiri parashikon dyfishimin e rasteve me koronavirus në Kosovë këtë një javë.
Konsulent ndërkombëtar në menaxhimin e të dhënave, thotë përhapja e koronavirusit, është shumë e madhe nga sa ishte menduar.

“Koha mesatare e dyfishimit të infeksioneve në Kosovë ra sot në 6.8 ditë, nga 9.3 sa ishte dje”, shkruan Beqiri në “Facebook”. Kjo nëkupton dyfishim potencial të rasteve përafërsisht për çdo javë nëse nuk ndryshon diçka ose te virusi, ose tek ne”.
Përveç Prishtinës, e cila është tanimë në karantinë, sot, në çdo komunë të Kosovës hyjnë në fuqi masat e ndalimit të qarkullimit
Ministri i Shëndetësisë në detyrë Arben Vitia thotë se aktualisht Kosova e ka situatën nën kontroll, por sipas tij, një pakujdesi e vogël mund të kushtojë me humbje të mëdha të jetëve.
“Gjatë ditëve të fundit kemi pasur rritje të numrit të të infektuarve dhe IKSHPK-ja ka rekomanduar marrjen e masave më rigoroze”, tha Vitia. “Nga sonte në secilën komunë hyjnë në fuqi masat për ndalimin e qarkullimit. Ju njoftoj se këto masa që do t’i vazhdojmë do të jenë në fuqi deri në vendimin e radhës”, deklaroi ministri, duke shtuar ai tha se Kosova po hyn në javët kur pritet që Covid-19 të shënojë pikun.

Rasti i parë me koronavirus në Kosovë u shënua me datën 13 mars. Por brenda një muaji ky numër është rritur ndjeshëm, ndoshta edhe nga fakti se qeveria priti dhjetë ditë nga rasti i parë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se në vazhdimësi janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve të konfirmuara, si dhe kontaktet e kontakteve. Sipas IKSHPK-së, deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.273 kontakte të rasteve.
Ndërkohë, ekspertë të shëndetësisë kanë kërkuar që qytetarët t’u përmbahen këshillave dhe të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbajnë distancën sociale. Një studim i fundit ka zbuluar se masat strikte në 11 shtete evropiane janë shmangur rreth 59.000 vdekje
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje