Politike

Fillon ofensiva ndaj Berishës, tre deputetët e Dibrës nuk i shkojnë në takim, Basha e konkurron “live” me paketën kushtetuese

Ish-Kryeministri Sali Berisha ishte në Dibër në takimin e radhës, kur tha se 2/3 e demokratëve kanë firmosur për të thirrur Kuvendin Kombëtar të PD-së për vendimin e Bashës.

“Kanë firmosur mbi 2/3 vendimin e tyre për të mbledhur në një moment historik për PD dhe vendin, Kuvendin Kombëtar të PD-së, Kuvendit për ta kthyer PD në lartësinë e saj dhe te ecjes së sigurt drejt fitores që meriton”, tha ndër të tjera Berisha.

Por paralelisht me takimin e tij, nga PD-ja zyrtare ka pasur lëvizje. Fillimisht në takimin e Berishës nuk ka shkuar asnjë nga deputetët aktualë të PD-së për qarkun e Dibrës. Njëri prej tyre, Xhelal Mziu, paralelisht me takimin e Berishës, reagoi në Facebook për një dosje të ditëve më parë, porse nënvizoi se qëllimi dhe aksioni i PD-së do të mbetej denoncimi i zgjedhjeve. Edhe nga selia blu, Basha kishte ndërmarrë lëvizjet e veta.

 Ai mblodhi anëtarët e Komisionit të Ligjeve për tre piketat e amendamenteve që PD do të depozitojë në Kuvend ditën e mërkurë.    

“Amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike janë të domosdoshme për të nxjerrë vendin nga kriza politike. Shqiptarët sot e dinë se problemet që ata hasin te cmimet, te pamundësia për të përballuar kostot e jetesës, në punësim, arsimim, shëndetësi, biznes e kudo tjetër burojnë aty ku e ka gjenezën lufta jonë me përkthimin e legjitimitetit, te zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Pra nuk po ndërmarrim këto iniciativa për Partinë Demokratike, por për shqiptarët, që të kenë mundësi të zgjedhin dhe mundësi për të zgjedhur kandidatët që nuk kanë lidhje me krimin, kandidatë që nuk kanë lidhje me korrupsionin. Nga ecja përpara e këtyre iniciativave, përfitojnë qytetarët, si në rastin e zgjedhores dhe asaj territoriale, ashtu edhe në rastin e vettingut në politikë, jo një parti apo një tjetër, por çdo qytetar që kërkon ndryshim, që kërkon përfaqësim, që kërkon një politikë të pastër, larg ndikimit të krimit dhe korrupsionit”, mësohet të jetë shprehur Basha gjatë takimit, një përgjigje kjo indirekte edhe për Berishën kur thotë se Basha po lufton për interesat e veta.

Pas mbledhjes foli edhe sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, me të njëjtin mesazh që Basha përcolli brenda mbledhjes.

“Siç jemi njohur, grupi i PD dje vendosi që gjatë javës të depozitojë disa amendamente kushtetuese. Pastrimi i politikës nga të korruptuarit, së dyti rikthimi i legjitimitetit të zgjedhjeve dhe së treti një reformë të re territorial. Grupi autorizoi anëtarët e PD në komisionin e ligjeve si grup pune për finalizimin e amendamenteve. U ra dakord për të gjitha çështjet dhe vendosëm që ditën e nesërme të dorëzojmë amendamentet kushtetuese në Kuvend… Nesër do të njiheni me propozimet e plota. Detyra e opozitës është të sigurojë zgjidhje për hallet e qytetarëve. Janë propozime që kanë lidhje me interesin e qytetarëve. Ka dhe do të ketë bisedime me ndërkombëtarët. E rëndësishme është që nesër do dorëzojmë amendamentet” tha Bardhi për mediat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë