Futboll

Finalja e kupës Vllaznia-Skënderbeu do luhet me 1.000 tifozë në “Air Albania”

Sfida për trofeun e fundit në këtë sezon në futbollin shqiptar do të luhet me tifozë. Finalja e Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu-Vllaznia që do të luhet të hënën në orën 19:00 në “Air Albania”, do të ketë zyrtarisht 1.000 tifozë në shkallët e impiantit.

Prej kohësh, FSHF kishte kërkuar nga autoritetet që kjo finale të kishte sado pak tifozë të pranishëm dhe Ministria e Shëndetësisë ka pranuar të lejojë një numër të kufizuar tifozësh.

Edhe Vllaznia, përmes Bashkisë së Shkodrës, kishte kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Sporteve që të hapeshin dyert për një finale me tifozë.

Në përgjigje të kërkesës “mbi lejimin e spektatorëve në finalen e Kupës së Shqipërisë”, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka dhënë lejen e posaçme për praninë e 1 mijë tifozëve.

Duke parë kohën e limituar në dispozicion, FSHF ka njoftuar dy klubet dhe tifozeritë respektive, se biletat e ndeshjes mund t’i sigurojnë pranë dyqanit të FSHF-së, në rrugën e “Elbasanit”, dhe në biletarinë e stadiumit “Selman Stërmasi” duke filluar nga ora 14:30 si dhe online në biletarinë e FSHF.

Edhe pse do të jenë 1 mijë tifozë, atmosfera do të jetë shumë ndryshe për një finale të tillë, duke parë se ata do të jenë të shpërndarë dhe do të ruajnë një distancë për zbatimin e masave anti-Covid.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë