Bota

Finlanda redukton fort vizat për rusët

Finlanda do të ulë numrin e vizave të lëshuara për rusët në 10 për qind të shumës aktuale duke filluar nga 1 shtatori, tha të martën ministri i Jashtëm, Pekka Haavisto. Vendimi mbërrin në një kohë fluksi të turistëve rusë që e përdorin Finlandën si portë për të vizituar Europën.

Haavisto tha se vendimi kishte ardhur pasi një fluks turistësh rusë filloi të përdorte Finlandën dhe aeroportin e saj Helsinki-Vantaa si një portë drejt destinacioneve të pushimeve verore, pasi Rusia hoqi kufizimet kufitare të lidhura me pandeminë një muaj më parë.

“Kjo ndoshta bie ndesh me vendimin që kemi marrë për kufizimet e hapësirës ajrore të vendosura për Rusinë” tha Haavisto.

Vetëm disa ditë pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, Finlanda iu bashkua një vargu vendesh perëndimore në mbylljen e hapësirës së tyre ajrore ndaj avionëve rusë si kundërpërgjigje, duke e bërë të vështirë për rusët udhëtimin në Europë.

Finlanda dhe vendet baltike së bashku do të propozojnë që Bashkimi Europian të ndërpresë një marrëveshje për lehtësimin e vizave me Federatën Ruse, që e bën më të lehtë për rusët të udhëtojnë drejt dhe brenda Bashkimit Europian, tha Haavisto.

Disa liderë të BE-së si kryeministrja finlandeze Sanna Marin dhe homologja e saj estoneze Kaja Kallas kanë bërë thirrje për një ndalim të vizave në mbarë BE-në, të cilën kancelari gjerman Olaf Scholz e kundërshtoi të hënën, duke thënë se rusët duhet të jenë në gjendje të largohen nga vendi i tyre nëse nuk pajtohen me regjimin.

Finlanda po kërkonte krijimin e një vize humanitare kombëtare e cila mund t’u jepej rusëve që kishin nevojë të iknin, ose të vizitonin Europën për qëllime të tilla si gazetaria, ose avokatia, shtoi Haavisto.

Sipas rregullave të Bashkimit Europian, një turist duhet të aplikojë për vizë nga vendi që synon të vizitojë, por mund të hyjë në zonën Shengen pa kontrolle kufitare nga çdo pikë dhe të udhëtojë rreth saj deri në 90 ditë në një periudhë 180-ditore.

Finlanda ka vendosur të njëjtat sanksione ndaj Moskës si pjesa tjetër e BE-së, si ndalimi i importit dhe eksportit të disa mallrave industriale dhe ngrirja e disa aseteve në bankat e BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë