Sport

Fitoi medalje të artë në Tokio, britaniku Tom Daley: Krenar që jam homoseksual

“Ndihem jashtëzakonisht krenar të them se jam një homoseksual dhe një kampion olimpik. Kur isha më i ri, nuk e kisha menduar se do të arrija këtë gjë. Të jem një kampion olimpik tani tregon se gjithçka mund të arrihet”, – ka thënë pas fitimit të medaljes së artë zhytësi anglez Tom Daley, i cili skenë më të rëndësishme nuk mund të gjente as në ëndrrat e tij.

Zhytësi britanik u shpall kampion olimpik për kërcimin nga platforma e 10 metrave, bashkë me shokun e skuadrës Matty Lee. Ai zgjodhi këtë moment për të dhënë një mesazh inkurajes drejtësie sociale. Dhe e ka bërë me shumë stil, me medaljen e artë në dhëmbë, në stolin e kampionëve të pavdekshëm.

Kampioni britanik ka qenë në kërkim të medaljes së artë prej 4 Olimpiadash, pas atyre të bronzit të fituara në Londër dhe Rio. Paraqitja e sotme ka larguar fantazmat e së shkuarës, pasi anglezët dolën 1 pikë para çiftit kinez të përbërë nga Cao Yuan e Chen Aisen, favoritë për të fituar.

Emocionet në konferencë shtypi ishin të mëdha, jo shumë për daljen hapur të Daley, – sepse ai e kishte bërë të ditur se ishte homoseksual që në vitin 2013, – por për impaktin që mesazhi i tij do të ketë: nga podi i Tokios, para syve të gjithë opinionit publik botëror, një pjesë e të cilit ende nuk e pranon lirinë e zgjedhjes së orientimit seksual, duke diskriminuar dhe në ndonjë rast edhe persektuar individë të caktuar.

“Ka më shumë sportistë të deklaruar në këto Lojëra në krahasim me çdo event tjetër olimpik. Kam dalë hapur në vitin 2013 dhe kur isha më i ri ndihesha gjithmonë i vetmuar dhe ndryshe nga të tjerët. Kishte diçka tek unë që nuk ishte siç shoqëria donte të ishte. Shpresoj që çdo i ri Lgbt të kuptojë se nuk ka rëndësi se sa i vemtuar ndihesh në këtë moment. Nuk je vetëm. Mund të arrish çdo gjë”.

Daley është i martuar me Dustin Lance Black që nga viti 2017. Nga lidhja e tyre ka lindur Robert Ray.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë