Politike

Fjalimi i prioriteteve vetëm tek Policia/ Porositë e Ballës dhe pse ai dallon nga Çuçi

Më 18 dhjetor të vitit 2020, atëbotë ministër i sapozgjedhur i Brendshëm, Bledi Çuçi u zotua që në fund të mandatit të tij të njihej si Ministër i Brendshëm, dhe jo Ministri i Policisë apo Rendit.

Çuçi shkonte në atë detyrë “me mbështetjen e palëkundur dhe absolute për Policinë e Shtetit”. Dhe ashtu ndodhi. Deri sa u shkarkua (siç u servir) për faj të Policisë, lidhur me ‘shthurrjen’ e komisariatit të Krujës, pas asaj që prodhoi dhuna nga pjesëtarë të fisit ‘Rraja’.

Krejt e kundërta me pasardhësin e tij në Ministrinë e Brendshme, Taulant Balla, një personazh me profil të thellë politik që iu vu re edhe gjatë fjalës së parë të mbajtur si Ministër i Brendshëm.

Sipas ritualit të secilit ministër paraardhës që është ulur në atë karrige edhe Balla thirri drejtorët e Policisë, zv-ministrat dhe zyrtarë të tjerë të lartë të dikasterit në takimin hapës.

Ata u ulën përballë tij në rreshtin e parë.

Në krah të Ballës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, që pas fjalimit 20 minutash nuk u ndje aq komfort sa ish-shefi që u shkarkua me një copë letër nga kryeministri Edi Rama.

Ministri i Brendshem, Taulant Balla, gjatë fjalimit të parë në këtë detyrë

Taulant Balla nuk foli konkretisht për grupet kriminale në vend apo synimet e tij në këtë drejtim sa kohë është emëruar për atë detyrë. Edhe kur preku temën tjetër të ndjeshme atë për kanabisin, ai foli për rolin që në këtë rast duhet të ketë Policia.

Ai e fokusoi gjithë vëmendjen e tij tek  puna e Policisë së Shtetit dhe më shkoqur tek drejtoria e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore

Së pari; Balla tha se i kishte kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë arrestimin e vëllait dhe djalit të deputetit të dorëhequr nga mandati Rrahman Rraja që ende ndodhen në drejtim të paditur.

Së dyti; Ai kishte vërejtje për Ardi Veliun si Drejtor i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore. ‘Sa drejtues a shefa komisariatesh të Policisë së Shtetit janë kapur me presh në duar?”, pyeti Balla duke theksuar se, “janë goditur shumë keqbërës të vegjël nën uniformë, por keqbërës të mëdhenj më shumë se sa pak, për të mos thënë aspak”

Së treti; Balla kërkoi që Policia nuk duhet të qarkullojë në lagje thjesht dhe vetëm për të vënë gjoba, por për të bashkëjetuar me njerëzit

Së katërti; Balla kërkoi që brenda 10 ditëve çdo polic të njihet me Kodin e Etikës

“Ka një kod etik të kahershëm tanimë, por të pazbatuar deri tani, që thotë se drejtuesit e policisë së shtetit nuk mund të ulen nëpër kafe e restorante as gjatë pune, as pas pune, përveçse për arsye familjare apo arsye të tjera për të cilat kanë vënë më parë në dijeni eprorët. Por jo vetëm kështu nuk ndodh, por ndodh fatkeqësisht që edhe që drejtorë e shefa komisariatesh, të kenë kontakte të papërshtatshme nëpër lokale, ku deri edhe u përcillen kriminelëve informacione sensitive të punës dhe të aksioneve policore” tha ai.

“Në territorin e kësaj Republike nuk mund të ketë feude ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët dhe nuk mund të ketë individë më të fortë sesa e bardha e vijave të rrugës apo e kuqja e ngjyrës së semaforëve, në çdo komunitet të Shqipërisë duhet të ketë rend ligjor dhe siguri për të gjithë, nën kujdesin dhe me garancinë e Policisë së Shtetit”, tha Balla kur foli për “të fortët”, por pa bërë një bilanc konkret se çfarë është bërë në këtë drejtim dhe çfarë ai premton se do të bëjë ndryshe

Së pesti;  Kritika për komisariatin e Krujës ku në të njëjtën ditë kur ai shpalli prioritetet Policia e Shtetit njoftoi emërimet e reja  

“Shkaqet e atij dështimi janë ende aty dhe nuk janë vetëm në Fushë-Krujë, po edhe në disa zona të tjera periferike të vendit, ku syri i drejtorisë së përgjithshme apo dhe i drejtorit të qarkut ka qenë miop dhe duhet të hapet menjëherë, sot, jo nesër…”, tha Balla

Së gjashti; Duke qënë se vjen nga një pozicion si kryetar grupi prej shumë vitesh Taulant Balla i njeh mirë ndërhyrjet e deputetëve. ”Asnjë deputet nuk duhet të ndërhyjë në punën tuaj, kush e lejon shkarkohet! Emrat e tyre adresojini tek unë…”, ishte porosia e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë