Golat në kampionatin shqiptar janë me “pikatore”. Është shumë e vështirë për të gjetur rrugën e rrjetës dhe u desh një “magji” e Danilo Alveshit, që Flamurtari të fitonte ndaj Laçit në Vlorë. Trajneri Ilir Daja, me një formacion të modifikuar për shkak të mungesave dhe duke i besuar një fanellë titullari të riut Rrapaj, ia ka dalë të marrë tri pikët në këtë ndeshje të rëndësishme rivalësh për Kupat e Europës.
Ndeshja Flamurtari-Laçi është gjykuar nga arbitra maltezë, me të cilët FSHF-ja ka një marrëveshje bashkëpunimi. Në fushë ka pasur edhe momente tensioni nga lojtarët e të dyja skuadrave. Në fund kanë buzëqeshur vlonjatët, falë golit të bukur për nga mënyra e realizimit të sulmuesit Alvesh, në fundin e pjesës së parë. Braziliani ka qenë pa fat në pjesën e dytë, kur ka goditur traversën pas një roveshiate të bukur në zonë. Edhe braziliani tjetër, Elton Kale, i është afruar golit për Flamurtarin, por pa e gjetur atë.

Duhet theksuar se ka pasur dyluftime shumë të ashpra në fushë dhe nervozizëm nga të dyja palët. E vërteton këtë edhe numri i lartë i kartonëve të verdhë, plot 9 të tillë. Më në fund, vlonjatët kanë arritur të fitojnë ndaj Laçit, një kundërshtari që ishte bërë makth për ta sezonet e fundit. Flamurtari është ngjitur në kuotën e 25 pikëve dhe mban vendin e 6-të, 1 pikë pas Laçit. Një fitore shumë e rëndësishme për vlonjatët, pas hapit të gabuar të javës së kaluar me Kastriotin e vendit të fundit.

Pas fitores, trajneri Ilir Daja u shpreh: “E kemi nisur ndeshjen me një 17-vjeçar në formacion dhe e përgëzoj për lojën. Kale dhe Torasa nuk janë në formën më të mire, ndërsa Alvesh vjen pas dëmtimit. Bëmë lëvizje të detyruara. I dimë pikat e forta dhe pikat e dobëta. Po t’i kemi të gjithë në gjendje, jam dakord që do të kishim sulm të frikshëm. Kemi nevojë për përforcime, natyrisht, por jo për numër. Duam cilësi. Do të doja të kisha gjithë kontingjentin e lojtarëve në dispozicion, sepse rritet rivaliteti brenda grupit. Nuk kam qenë i informuar për financat, por nëse pagesat jepen në kohë, lojtarët motivohen. Jam i bindur se pagesat do të shlyhen”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje