Lajme

Fluksi për aplikime, kartat e identitetit të vlefshme deri më 31 dhjetor

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kanë dhënë lajmin e zgjatjes së vlefshmërisë së letërnjoftimeve elektronike. Për të ulur fluksin e qytetarëve, të cilët aplikojnë për letërnjoftime elektronike, afati i tyre do të zgjatet deri më 31 dhjetor 2019.
Gjithashtu, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe kompaninë Aleat, kanë nisur punën për hapjen e zyrave të reja në të gjithë qytetin, ku qytetarët mund të aplikojnë për rinovimin e kartave të identitetit. Shërbime për aplikimet e reja do të ofrohen edhe ditën e shtunë e të diel.
“T’u japim prioritet të moshuarve dhe atyre që mund ta kenë shumë të nevojshme për pasjen e kartës së identitetit për udhëtime jashtë vendit ose për dokumente të tjera. Për sa u përket nevojave brenda Shqipërisë, vlefshmëria e kartës, pavarësisht datës do të jetë deri më 31 dhjetor 2019. Kështu që, qoftë për votimet, apo edhe për nevoja të tjera, pensionet, apo çështje që kanë të bëjnë me autoritetet vendore apo qendrore të Shqipërisë, vlefshmëria është deri më 31 dhjetor”, tha Veliaj.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj siguroi qytetarët se me kapacitetet e shtuara nuk do të kenë asnjë pengesë në marrjen në kohë të shërbimit të kërkuar.
“Është rezultat i një pune intensive që është bërë ditët e fundit, për të rritur kapacitetet e prodhimit për kartat e identitetit edhe në prag të zgjedhjeve, por edhe për të përballuar fluksin e madh i cili lidhet me skadimin e një numri shumë të madh kartash, të cilat janë prodhuar pothuajse në të njëjtën kohë në vitin 2009. Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Brendshme kanë ndërmarrë masa për të zgjeruar kapacitetet dhe për të përmirësuar kushtet e aplikimit”, nënvizoi Lleshaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë