Bota

Forcat e NATO-s zmbrapsin tre avionë rusë pranë hapësirës ajrore të Polonisë

Gazeta Si – Ministria holandeze e Mbrojtjes tha se dy prej avionëve të saj luftarakë F-35 dje kapën një formacion prej tre avionësh luftarakë rusë mbi Poloni dhe i shoqëruan ata jashtë hapësirës ajrore.

Tre avionë rusë gati sa nuk kanë shkelur hapësirën ajrore të NATO-s së fundmi, duke detyruar aleatët të ndërhyjnë për largimin e tyre nga zona pranë Polonisë.

Ministria holandeze e Mbrojtjes dhe vetë komanda ajrore e NATO-s njoftuan se avionët e ushtrisë ruse janë pikasur teksa afroheshin nga Kalinigradi e më pas u shoqëruan deri në distancën e duhur nga hapësira ajrore e aleancës.

Për kryerjen e operacionit, janë përdorur fillimisht dy avionë luftarakë F-35 të policimit ajror të forcave të ushtrisë holandeze që kanë bërë konstatimin e avionëve rusë.

NATO tha se bëhej fjalë për një avion zbulimi të emëruar IL-20M Coot-A që shoqërohej nga dy avionë sulmues Su-27 Flankers.

Pas konstatimit të tyre, avionët holandezë kanë kontaktuar me autoritetet e tjera të aleancës dhe në operacion janë përfshirë edhe avionët gjermanë e francezë Eurofighters, të cilët kanë bërë shoqërimin dhe largimin e aeroplanëve rusë.

Në faqen zyrtare të komandës ajrore të NATO-s thuhet se tre avionët rusë përbënin rrezik për përdoruesit e tjerë të hapësirës ajrore duke injoruar rregullat ndërkombëtare të sigurisë ajrore.

Zona e Kalinigradit ku ndodhi incidenti ajror, është një enklavë ruse e bregdetit Baltik midis Polonisë dhe Lituanisë, të cilat janë vende anëtare të aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s.

Avioni i madh Il-20M Coot-A është emri raportues i NATO-s për avionin rus të zbulimit Ilyushin Il-20M, ndërsa Su-27 Flankers është emri raportues për avionët luftarakë Sukhoi Su-28.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë