Ne rrjet

Forcat iraniane po i qëllojnë me shotgan në fytyra dhe organet gjenitale protestueset femra

Sipas intervistave me mjekë në të gjithë Iranin, forcat iraniane të sigurisë po shënjestrojnë gratë në protestat kundër regjimit me shotgan në fytyrë, gjoks dhe organe gjenitale.

Mjekët dhe infermierët – që trajtojnë demonstruesit në fshehtësi për të shmangur arrestimin – thanë se ata së pari e vëzhguan këtë praktikë pasi vunë re se gratë shpesh vinin me plagë ndryshe nga burrat, të cilët më shpesh kishin predha plumbash në këmbë, të pasme dhe shpinë.

Një ndërprerje e internetit ka fshehur pjesën më të madhe të goditjeve ë përgjakshme ndaj protestuesve, por fotografitë e ofruara nga mjekët për The Guardian treguan plagë shkatërruese në të gjithë trupin e protestuesve nga të ashtuquajturat “fishekë zogjsh”, të cilat forcat e sigurisë i kanë gjuajtur mbi njerëzit nga një distancë e afërt. Disa nga fotot tregonin njerëz me dhjetëra predha të vogla “të qëlluara” të vendosura thellë në mishin e tyre.

Dhjetëra mjekë iranianë kanë paralajmëruar për seriozitetin e lëndimeve që mund të lënë qindra të rinj iranianë me dëmtime të përhershme. Të shtënat në sytë e grave, burrave dhe fëmijëve ishin veçanërisht të zakonshme, thanë ata.

Një mjek nga provinca qendrore e Isfahanit tha se ai besonte se autoritetet po synonin burrat dhe gratë në mënyra të ndryshme “sepse ata donin të shkatërronin bukurinë e këtyre grave”.

“Kam trajtuar një grua rreth të 20-ave, e cila u qëllua në organet gjenitale nga dy fishekë. Dhjetë fishekë të tjerë ishin ngulur në pjesën e brendshme të kofshës së saj. Këto 10 predha u hoqën lehtësisht, por ato dy fishekë ishin një sfidë, sepse ishin futur në mes të uretrës së saj dhe hapjes vaginale”, tha mjeku. “Kishte një rrezik serioz të infeksionit vaginal, ndaj i kërkova të shkonte te një gjinekologe e besuar. Ajo tha se po protestonte kur një grup prej rreth 10 agjentësh të sigurisë u rrethuan dhe e qëlluan në organet gjenitale dhe kofshët e saj.”

I traumatizuar nga përvoja e tij, mjeku – i cili si të gjithë profesionistët mjekësorë të përmendur në këtë artikull foli në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes – tha se e kishte të vështirë të përballej me stresin dhe dhimbjen që pa.

Protestat mbarëkombëtare

Aktivistët thonë se një dhunë e tillë e tmerrshme me bazë gjinore nuk është befasi duke pasur parasysh sundimin mizogjen të ajatollahëve të Iranit, të cilët morën pushtetin në revolucionin e vitit 1979 dhe kanë mbajtur kontrollin me forcë brutale, shpesh kundër grave.

Ishte vdekja në shtator e një gruaje 22-vjeçare, Mahsa Amini, ajo që ndezi sfidën më të guximshme ndaj sundimit teokratik të linjës së ashpër të klerikëve të vendit.

Amini u arrestua për mbajtjen e pahijshme të shamisë së saj dhe më pas, me sa duket, u rrah për vdekje nga policia morale e Iranit. Në ditët pas vdekjes së saj, vajzat dhe gratë në mbarë vendin kundërshtuan kodin ligjor të veshjes dhe hoqën hixhabet e tyre.

Teherani ka fajësuar vazhdimisht armiqtë e huaj për trazirat dhe ka akuzuar “terroristët” për vrasjen e dhjetëra anëtarëve të forcave të sigurisë. Kjo bie ndesh me deklaratat e zyrës së OKB-së të Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, e cila tha se më shumë se 300 njerëz ishin vrarë deri më tani në përplasjet me policinë, duke përfshirë më shumë se 40 fëmijë.

Dhe ndërsa këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut ka miratuar rezolutën për të krijuar një mision faktmbledhës për të hetuar shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut, hetuesit nuk ka gjasa të pranohen në vend.

Një pjesë e fushatës së frikësimit të Teheranit ka përfshirë kërcënime ndaj mjekëve që trajtojnë të plagosurit.

Duke u përballur me kushte të tilla të rrezikshme, një mjeke nga Mazandaran tha se ajo operonte të lënduarit gjatë protestave me dritat e fikura për të shmangur zbulimin nga ana e forcave të sigurisë. “Gratë kanë aq turp të shkojnë në spital saqë shumë prej tyre trajtohen në shtëpi dhe kjo është shumë e rrezikshme,” tha mjekja.

Brian Castner, një këshilltar i lartë krizash për armët dhe operacionet ushtarake në Amnesty International, tha se dëmtimet e paraqitura në fotografitë e ofruara për The Guardian ishin gjerësisht në përputhje “me përdorimin e shotganëve që përdoren për gjueti shpendësh dhe që janë ilegjitime të përdoren nga forcat e policisë”.

Të qëlluar në sy

Një kirurg në Teheran tha se një rast që iu referua atij ishte një kalimtar 25-vjeçar i cili ishte qëlluar në fytyrë më 16 shtator, kur protestat sapo kishin filluar. “Predhat i kanë goditur sytë, kokën dhe fytyrën… Ai është pothuajse i verbër në të dy sytë dhe mund të dallojë vetëm dritën dhe shkëlqimin e saj. Nuk është aspak në gjendje të mirë.”

Ky është vetëm një nga qindra raportimet që kanë dalë për protestuesit që kanë humbur shikimin pasi janë qëlluar nga fishekë nga një distancë e afërt. The Guardian ka parë foto të njerëzve me predha fishekësh në kokërdhokët e syve.

Një rast që mori rëndësi kombëtare ishte sulmi ndaj një studenteje nga qyteti port i Bandar Abbas, e cila u qëllua në syrin e djathtë. Ghazal Ranjkesh ka shpërndarë në profilin e saj në Instagram se është qëlluar me armë zjarri teksa po kthehej nga puna.

“Imazhi i fundit që pa syri im i djathtë ishte buzëqeshja e personit që qëlloi drejt meje”, shkruan ajo në një postim që tani është fshirë pasi u shpërnda gjerësisht në grupet e protestës dhe mediat sociale, duke shkaktuar reagime të mëdha.

Më shumë se 400 okulistë nga Irani kanë nënshkruar një letër duke paralajmëruar Mahmoud Jabbarvand, sekretarin e përgjithshëm të Shoqatës Iraniane të Oftalmologjisë, për atë që duket të jetë verbimi i qëllimshëm i protestuesve.

Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë