Futboll

Forcohet Seria A, afrime “big” për Juventusin, Interin dhe Napolin

Juventusi, Napoli dhe Interi kanë bërë afrime të rëndësishme së fundi në merkaton e verës. Mesfushori francez, Adrien Rabiot, është një fytyrë e re në futbollin italian, ku do të përfaqësohet me fanellën e Juventusit. Interi ka formalizuar mbërritjen e mbrojtësit uruguaian Diego Godin dhe ka gati zyrtarizimin e austriakut Lozano. Napoli ka afruar grekun Manolas për 36 milionë euro, ndërsa Roma ka marrë mesfushorin Diavara nga skuadra e Ançelotit për 21 milionë euro.

Me këmishë të bardhë, flokë të mbledhur dhe me mama Veronikën gjithmonë pranë tij, Adrien Rabiot ka mbërritur në “J Medical” mëngjesin e sotëm për të kryer vizitat mjekësore. E kanë pritur një grup tifozësh të Juventusit, të cilët kanë shkrepur fotot e para me afrimin e fundit të kampionëve të Italisë. Francezi është shfaqur i qeshur teksa pozonte me tifozët. Mezi e kishte pritur kalimin në Itali, pas skadimit të kontratës me PSG-në. Mesfushori do të firmosë një kontratë 4-vjeçare me Juventusin dhe do të përfitojë 7 milionë euro në sezon, përveç bonuseve. Juventusi përforcon mesfushën për sezonin e ardhshëm me dy lojtarë si Rabiot dhe Ramsei.

Postimi i Romës për shitjen e Manolas te Napoli

Një afrim mjaft të rëndësishëm ka bërë Napoli, që ka marrë mbrojtësin Kostandinos Manolas nga Roma. Greku ishte në shënjestër të disa klubeve të mëdha në Europë, por ka preferuar të qëndrojë në Itali, duke iu bashkuar skuadrës së trajnerit Karlo Ançeloti. Lajmi është zyrtarizuar nga klubi i Romës, që përfiton 36 milionë euro nga shitja e Manolas, një nga mbrojtësit më të fortë në Serinë A. Manolas ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me Napolin dhe prej saj do të përfitojë 3.5 milionë euro në sezon, shifër që bashkë me bonuset shkon në 4 milionë euro. Roma ia arriti qëllimit për ta mbyllur transferimin brenda 30 qershorit, diçka shumë e rëndësishme për “Fair-Play”-in financiar. Mbrojtësi grek kishte ardhur te Roma nga Olimpiakosi në vitin 2014. Ka luajtur 206 ndeshje me Romën dhe mes 8 golave të shënuar veçohet ai i fitores historike 3-0 kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve në sezonin 2017/18. Roma, nga ana tjetër, ka marrë nga Napoli mesfushorin Diavara, për të cilin ka derdhur shumën e 21 milionë eurove.

Postimi i Interit për ardhjen e mbrojtësit Diego Godin

Lëvizje edhe tek Interi, që ka njoftuar zyrtarisht ardhjen e mbrojtësit Diego Godin. “Një sherif i ri në qytet”. Ky ishte postimi në Tuiter i klubit të Interit që në orët e para të mëngjesit për veshjen zikaltër të mbrojtësit uruguaian. Marrëveshja me 33-vjeçarin, kapitenin e Uruguait, i cili vjen me parametra zero nga Atletiko Madrid, ishte arritur që në janar, por Interi duhej të priste korrikun për të formalizuar këtë transferim. Muajt e fundit janë bërë të ditura edhe detajet e kontratës, që është 3-vjeçare dhe prej saj mbrojtësi do të përfitojë 6.75 milionë euro. Godin ka fituar jo pak në karrierë. Me Uruguain ka fituar Kupën e Amerikës në vitin 2011, kurse me Atletiko Madrid ka fituar titullin kampion në vitin 2014, Kupën e Spanjës në vitin 2013, Ligën e Europës në vitet 2012 dhe 2018, si dhe 3 herë Superkupën. Deri në vitin 2022 do të provojë ta pasurojë palmaresin e tij me fanellën e Interit. Zikaltërit janë gati të zyrtarizojnë goditjen e radhës, austriakun Lazaro, i cili vjen nga Herta e Berlinit dhe së shpejti do të kryejë vizitat mjekësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë