Bota

Foto/ Çikago, 6 të vrarë dhe 31 të plagosur gjatë paradës së festës së Pavarësisë

Gazeta Si – Frikë në Highland Park, në periferi të Çikagos në shtetin e Illinoisit, për disa të shtëna me armë zjarri të ndodhur gjatë paradës së organizuar me rastin e festës tradicionale të 4 korrikut në SHBA.

Të paktën 6 persona humbën jetën dhe 31 u plagosën. Sherifi i Lake County u bëri thirrje qytetarëve që të largohen nga zona, ku filloi ndjekja për vrasësin, një burrë i bardhë midis 18 dhe 20 vjeç me flokë të gjata të zeza, njoftuan forcat e rendit.

“Sulmuesi është i armatosur, qëndroni i fshehur”, thanë autoritetet në një apel drejtuar popullatës. Sipas mediave amerikane, sulmuesi ka qëlluar nga një çati.

Parada e festës së Pavarësisë, 246-vjetori, filloi në orën 10 të mëngjesit me orën lokale, por u ndalua 10 minuta më vonë kur u qëlluan të shtënat me armë dhe filloi një rrëmujë e përgjithshme me shumë njerëz të përgjakur. FBI ka nisur hetimet për ngjarjen.

Parada për Ditën e Pavarësisë ishte e para që planifikohej të festohej pas 2 vitesh, pa kufizimet e Covid. Por 4 Korriku u kthye këtë të hënë në shënjestrën e radhës të dhunës së armëve në SHBA.

BBC shkruan se dhuna nga armët në Chicago ka tendencën të rritet përgjatë fundjavave të festave, teksa njerëzit dalin më shumë për shkak të motit të nxehtë. Në 2021, mbi 100 persona u qëlluan me armë zjarri, 17 prej të cilëve u vranë, pikërisht gjatë fundjavës kur festohej 4 Korriku, në qytetin e Chicago-s.

Të shtënat e kësaj të hëne vijnë vetëm një muaj pas masakrës në Uvalde të Teksasit dhe asaj të Buffalo-s në New York dhe një javë pasi Kongresi Amerikan kaloi legjislacionin e parë bipartizan për armët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë