Gazeta Si – Shqipëria do të krijojë një flotë të plotë të helikopterëve ushtarakë. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka deklaruar se dy mjete tip “BLACKHAWK” do të mbërrijnë së shpejti e më tej dhe të tjerët.
Peleshi e bëri të ditur lajmin në ceremoninë e diplomimit të 11 pilotëve të rinj që do t’i bashkohen Forcave Ajrore të Shqipërisë, ku mes tyre është dhe një grua.
Peleshi deklaroi se flotës prej pesë helikopterëve të Shqipërisë do t’i shtohen edhe të tjerë, madje të modeleve më të fundit.
Së pari do të mbërrijnë dy Blackhawk e më tej numri do të shtohet. “Baza e parë taktike ajrore e NATO-s, baza e Kuçovës është tani në ndërtim e sipër dhe ky është një zhvillim historik. Në komponentin e pasurimit të teknikës ajrore, përsëri jemi në momente historike, sepse duke filluar nga viti që vjen ne do të nisim ndërtimin e flotës ajrore me helikopterët Blackhawk, – shtoi ai. – Dy helikopterët e parë do të vijnë vitin që vjen dhe më pas ky numër do të shtohet drejt konsolidimit dhe krijimit të një flote të vërtetë ajrore me helikopterët më të mirë në botë”.
Helikopterët amerikanë Blackhawk konsiderohen si më të shpejtët në botë dhe që përdoren në disa shtete të botës.
“Kemi sfida të mëdha përpara veçanërisht në FA, si në drejtim të infrastrukturës, por dhe rritjes së kapaciteteve njerëzore. FA është duke realizuar disa projekte historike. Baza e parë taktike ajrore e NATO-s, baza e Kuçovës është tani në ndërtim e sipër dhe ky është një zhvillim historik”, – vijoi Peleshi.






“Ne jemi pjesë e së tërës, jemi pjesë e një aleance të fuqishme, e cila sot ka shumë sfida të shtuara përsa i përket skenës dhe sigurisë së mbrojtjes që kanë ndryshuar pas pushtimit dhe agresionit Rus në Ukrainë. Kemi shumë detyra dhe objektiva përpara ndaj unë uroj suksese të përbashkëta edhe arritje sa më të mira në këto sfida, ju uroj punë të mbarë dhe gjithë të mirat në karrierën që ju pret”, u shpreh ministri.
Mes pilotëve të rinj janë 10 djem dhe një vajzë, Armela Murati. Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë edhe Komandanti i Forcës Ajrore Gjeneral brigade Ylli Pulaj, atashe të vendeve aleate dhe partnere të NATO-s si dhe ushtarakë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje