Bota

FOTO-VIDEO /Izrael-Gaza, luftë pa armëpushim. Ushtria, plane për t’u futur nga toka

Lëshimi i raketave në mënyrë intensive nga Gaza ka rinisur mëngjesin e të enjtes në drejtim të qytetit izraelit të Sderot dhe fshatrave bujqësorë në zonë.

Popullata u detyrua disa herë të vraponte në bunkerë për t’u strehuar. Në një fshat kufitar hebre, raketa goditi ndërtesat, por nuk ka njoftime për viktima.

Gjatë natës, një raketë palestineze goditi një ndërtesë apartamentesh në Petach Tikwa. Sipas shërbimeve të shpëtimit, 8 persona u plagosën.

Më shumë se 1000 raketa janë hedhur në territorin izraelit nga Rripi i Gazës, ndërsa Tel Avivi është kundërpërgjigjur me bombardime ajrore, me një bilanc të zi deri më tani, ku numërohen më shumë se 70 të vdekur që nga e hëna.

Ndërkohë, shtypi izraelit raporton se ushtria po planifikon një hyrje të mundshme në territorin e Rripit të Gazës.   “Planet për hyrjen e mundshme nga toka në Gaza do t’i paraqiten Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë për miratim”. Kjo u raportua edhe nga zëdhënësi ushtarak Hidai Zilberman, i cituar nga gazeta “Times of Israel”.

Planet – të zhvilluara nga Komanda Jugore dhe Divizioni i Gazës – pas miratimit përfundimtar, do t’i parashtrohen, shtoi Zilberman, udhëheqjes politike.

Në Haifa, arabët u vunë flakën makinave të parkuara nën një ndërtesë të banuar nga hebrenj ortodoksë. 60 persona u asfiksuan, kryesisht fëmijë. Në Lod (Tel Aviv) një hebre u godit me thikë nga një arab pranë një sinagoge.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden pati një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu dhe u shfaq optimist duke thënë se dhuna midis izraelitëve dhe palestinezëve do të mbaronte së shpejti.

“Pritja dhe shpresa ime është që kjo të përfundojë shpejt, por Izraeli ka të drejtë për vetëmbrojtje”, – u tha Biden gazetarëve sot në Shtëpinë e Bardhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë