Një imazh shumë i shëmtuar. Një foto ironike e publikuar në rrjetet sociale nga klubi i Shalkes është konsideruar një shaka pa kripë në Gjermani dhe ka shkaktuar shumë polemika. Shalke humbi në fushën e saj kundër Bajern Mynih, me rezultatin 0-3, me 3 gola të shënuar nga Robert Levandovski, por ndeshja la shumë diskutime pas, sepse kishte disa vendime të dyshimta arbitrare. Kur rezultati ishte 0-2, ishin dy penallti në favor të Shalkes, të paktën duke iu referuar rregullave të reja për prekjet e topit me dorë në zonë, por arbitri fillimisht dhe më pas VAR-i, nuk morën asgjë në konsideratë dhe vazhduan lojën.
Polemikat ishin të paevitueshme nga Shalke dhe plotësisht të drejta, përveç fotos ironike të publikuar në versionin amerikan të faqes zyrtare në Tuiter, ku shfaqen futbollistët e Bajernit duke festuar, por të gjithë janë…pa duar. Sipas rregullave të reja, tashmë janë më të ndëshkueshme prekjet e topit me dorë në zonë. Bëhet fjalë për lëvizjet jonatyrale të duarve, sidomos kur janë mbi lartësinë e shpatullave. Në ndeshjen Shalke-Bajern ishin dy raste të tilla, që u anashkaluan nga arbitri.

Pavard preku një top me dorën të hapur larg trupit, pas një gjuajtjeje me kokë të Burgstaler. Më pas ishte Perisiç, i cili devijoi me dorë një top të gjuajtur nga goditja e dënimit nga Kaliguri. Gjuajtjet e lojtarëve të Shalkes ishin drejt portës kundërshtare, kështu që ishin penallti në të dy rastet. Por, të publikosh një foto me lojtarët e Bajernit, duke u prerë duart me anë të fotoshopit, duket një shaka shumë e shëmtuar. Reagimet në rrjetet sociale për reagimin ironik të Shalkes kanë qenë të shumta dhe të gjithë gjykojnë se kjo lloj ironie nuk ka sens dhe është krejtësisht pa vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje