Bota

Foto/ Në të dy anët e Teatrit në Mariupol ishte shkruar ‘Fëmijë’, por rusët e bombarduan

Gazeta Si – Teatri i Mariupolit mund të jetë deri tani masakra më e përgjakshme e kësaj lufte. Sipas OJQ-së Human Rights Watch, brenda ndërtesës kishte “500 civilë”. Një sensacion ka shkaktuar edhe një foto satelitore e kompanisë Maxar, e cila tregon se si fjalët “Fëmijë” (“дети” në cirilik) janë skruar me germa gjigante në rusisht në sheshet para teatrit.

Një përpjekje për të shpëtuar vendin nga bombardimet. Megjithatë, rusët mbrohen, duke thënë se nuk i kanë gjuajtur raketat drejt tyre. Dhe vetë Human Rights Watch, aktualisht, nuk është në gjendje të përjashtojë se ky mund të jetë ende një objektiv ushtarak.

“Derisa të dimë më shumë, nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një objektivi ushtarak ukrainas në zonën e teatrit, por ne e dimë se teatri strehonte të paktën 500 civilë”, ka deklaruar Belkis Wille, referent i Human Rights Watch për bombardimin e Teatrit në Mariupol.

“Ka shqetësime serioze, – shtoi ai, – se cili ishte qëllimi në një qytet të rrethuar prej ditësh dhe në të cilin telekomunikacioni, energjia elektrike, uji dhe ngrohja janë ndërprerë pothuajse plotësisht”.

Në imazhet satelitore mund të shihni dy mbishkrime të mëdha “Fëmijë”, të shkruara me karaktere cirilike përpara dhe pas strukturës.

Human Rights Watch thekson se “nuk ishte në gjendje të kontaktonte me askënd në Mariupol me telefon më 16 mars për të përcaktuar nëse civilët ishin larguar nga teatri menjëherë përpara sulmit”.

Në disa fotografi të bëra mëngjesin e 15 marsit nga një mjek që po largohej nga qyteti, shihen “grupe njerëzish me rroba civile, duke gatuar ushqim në një zjarr të hapur dhe duke mbajtur kova me ujë jashtë teatrit”.

Asnjë automjet apo personel ushtarak nuk është i dukshëm në fotografi. Për më tepër, nga dëshmitë e disa civilëve të arratisur në Zaporizhia, del se shumë njerëz ishin strehuar në teatër: sipas një mjekut, “midis 500 dhe 800 civilë banonin aty”, ndërsa një vullnetar i angazhuar në furnizimin e strehimoreve raportoi se “struktura strehuar mes 500 dhe 700 civilëve”.

Nga ana e saj, Rusia mohon akuzat për bombardimin e teatrit të Mariupolit, i cili strehonte qindra civilë të zhvendosur.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Moskës, ishte milicia ultra-nacionaliste ukrainase e Batalionit Azov që shkatërroi ndërtesën sipas Tass.

Në deklaratën e cituar edhe nga Ria Novosti, thuhet se “sipas të dhënave të besueshme që disponohen, militantët e batalionit nacionalist Azov kanë kryer një provokim të ri të përgjakshëm, duke hedhur në erë ndërtesën e teatrit të minuar prej tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë