Nën thirrjet “Poshtë diktatura”, “Liri” dhe “Ne duam vaksina”, të dielën mijëra kubanë dolën në rrugë në qytete të ndryshme të ishullit për të protestuar kundër mungesës së ushqimit dhe ilaçeve, në një shpërthim të paparë të protestave prej 30 vjetësh.
Lajmi “i vogël” erdhi përmes internetit dhe blogjeve të ndryshme disidente ose nga gazetat në Majemi të SHBA-ve.
Lëvizja “San Isidro”, një nga organizatat disidente më aktive në Kubë, ka mbledhur përmes Twitter-it “të gjitha organizatat e pavarura të shoqërisë civile për të mobilizuar në rrugë”, duke rekomanduar që ata të ndjekin masat e mbrojtjes shëndetësore kundër valës së re të Covid-19, e cila pikërisht në këto ditë, i shtyu autoritetet të marrin masa të reja kufizuese.
“Është momenti ynë, – shkroi në Twitter lëvizja intelektuale e lindur në Havana – #NoTenemosMiedo (ne nuk kemi frikë)”. Në orën nëntë të mbrëmjes, ndërsa erdhi ora policore e pandemisë, protestuesit u kthyen në shtëpi.
Regjimi kuban vendosi skuadriljen sulmuese “beretat e zeza”, të cilat kanë hyrë në veprim në pikat më të nxehta dhe ndërprenë internetin në pjesën më të madhe të vendit dhe energjinë elektrike në disa qytete në agim të hënën, në përpjekje për të shmangur përhapjen e protestës dhe imazhet e shtypjes, të cilat sipas dëshmive të pakonfirmuara, do të ishin veçanërisht brutale.
Gjatë protestës, ka pasur qindra persona të arrestuar. Presidenti Miguel Díaz-Canel, ishte shumë i ashpër në TV: “Urdhri i luftës është dhënë”, – tha ai, duke ftuar të gjithë “revolucionarët e vërtetë” të dilnin në rrugë për të mbrojtur qeverinë. Trupi elitar i Forcave të Armatosura Revolucionare Kubane (FAR), është i njohur për metodat e dhunshme të përdorura për të ndaluar protestat.
“Ata sapo më thanë nga San Antonio de los Baños, se ekziston një brigadë gjigande beretash të zeza, ata po rrahin dhe po lëshojnë gaz lotsjellës, se qyteti nuk po dorëzohet. Ata kanë mbyllur energjinë dhe janë pa internet, kështu që nuk mund të publikojnë dëshminë e asaj që po ndodh në këtë moment”, – tha aktivistja Tania Bruguera. Disa video tregojnë se policia ka hapur zjarr ndaj demonstruesve në Havana, megjithëse nuk është e qartë dhe e sigurt se ku dhe kur ndodhi incidenti.
Epiqendra në qytetin e kulturës
Epiqendra e këtij “tërmeti” të papritur, janë rrugët e San Antonio de los Baños, një qytet 35 kilometra në jugperëndim të Havanës dhe zemra “kulturore” e ishullit, ku në vitin 1986, falë kontributit bujar të Gabriel Garcia Márquez, u themelua Escuela Internacional de Cine y Tv, një nga institucionet më të gjalla në Kubë.
Ironikisht, San Antonio është vendlindja e Silvio Rodriguez, ylli i Nueva Trova dhe këngëtar i revolucionit kuban. Në një video të transmetuar drejtpërdrejt në Facebook, një orë para se të fshihej, duket një korte i gjatë duke marshuar nëpër rrugët e tij.
Një tjetër klip, në Twitter, tregon protestuesit që përmbysin një makinë policie në Cardenas, një qendër turistike në det, disa kilometra nga Varadero, ndërsa videot e tjera tregojnë skena plaçkitjeje në dyqanet qeveritare.
Represioni i policisë nga Havana në Santiago
Mijëra njerëz u mblodhën gjithashtu në Havana, përpara sheshit kryesor, të mirëpritur nga një grup mbresëlënës i policisë, i cili nisi shtypjen e protestës pasdite.
Sidoqoftë, brenda disa orësh, protesta u përhap me zjarr në të gjithë Kubën. Derisa arriti në “kryeqytetin rebel” të Jugut, Santiago de Cuba.
Njerëzit këndonin në kor, “A la calle” (në rrugë, në rrugë) dhe më pas lëshonin parulla kundër diktaturës dhe fjalët e “Patria y Vida”, kënga që imiton parullën e Fidel Kastros – “atdheu ose vdekja” – e cila në muajt e fundit është bërë pothuajse një “himn i disidencës”.
Ndërkohë është vendosur gjendje shtetrrethimi në Matanzas, epiqendra e pandemisë Covid-19, e cila vetëm të dielën do të kishte regjistruar 7,000 infeksione të reja dhe gati 50 vdekje në të gjithë Kubën.
Versioni i regjimit
Ka pasur një reagim të menjëhershëm nga organet e shtypit të regjimit, në fakt të vetmit të autorizuar për të qarkulluar në ishull. “Populli revolucionar është në rrugën e mbrojtjes së Revolucionit”, titullon “Granma”, e cili në një artikull të gjatë, pasqyron vizitën e menjëhershme të presidentit Miguel Diaz-Canel në San Antonio de los Baños, në provincën e Artemisias, “për të biseduar me qytetarët pas provokimit të një grupi kundër-revolucionarësh, të cilët u përpoqën të prishin rendin publik, ndërsa Kuba lufton jo vetëm kundër Covid-19 por, për prej më shumë se 60 vjetësh, kundër një bllokade ekonomike, tregtare dhe financiare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Pastaj, trashëgimtari i zgjedhur nga Castro për të menaxhuar regjimin dhe për të drejtuar Partinë Komuniste të Kubës, u shfaq në TV, në një ndërhyrje “speciale” nga Palacio de la Revolución për të hedhur akuza të reja kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për të minimizuar “provokimin e orkestruar nga grupe të vogla kundër-revolucionarësh”.
“Ne jemi gati të japim jetën tonë. Ata duhet të shkelin mbi kufomat tona nëse duan të përballen me revolucionin. Ne jemi gati për gjithçka”, – tha Díaz-Canel në deklaratat për rrjetin “Telesur”.
“Ne nuk do të lejojmë asnjë kundër-revolucionar, mercenar, i shitur në perandorinë e SHBA-ve, të shkaktojë destabilizim”.
Dhe ai kërcënoi sërish: “Do të ketë një përgjigje revolucionare. Kjo është arsyeja pse ne ftojmë të gjithë revolucionarët komunistë të dalin në rrugët ku do të ndodhin këto provokime dhe t’i përballojnë ato me vendosmëri”.
Paralajmërimi nga Uashingtoni
Nga ana e tij, Uashingtoni paralajmëroi Kubën të dielën në mbrëmje të pwrmbahet kundër çdo përdorimi të dhunës ndaj mijëra protestuesve që u mblodhën në të gjithë ishullin për të protestuar ndaj “diktaturës”.
“Shtetet e Bashkuara tw Amerikës, mbështesin lirinë e shprehjes dhe protestat në Kubë dhe do të dënojnë me forcë çdo akt dhune kundwr protestuesve paqësorë që ushtrojnë të drejtat e tyre universale”, – tha Këshilltari i Sigurimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara në Twitter, Jake Sullivan.
Pas pak, Julie Chung, nënsekretare e përkohshme e SHBA-ve për çështjet e hemisferës perëndimore, i bëri jehonë, lajmit, duke deklaruar se qeveria e Joe Biden është thellësisht e shqetësuar për “thirrjet për luftw” ndaj popullit kuban. Ne kërkojmë qetësi dhe dënojmë të gjitha llojet e dhunës”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


































Lini një Përgjigje