Rend dhe Ligj

Foto / Shpërthimi tek Dukajt në ‘Fresk’ shkaktoi dëme dhe frikë te fqinjët: Jemi të tronditur

Gazeta Si – Shpërthimi me tritol në shtëpinë e babait të vëllezërve Duka në zonën e “Freskut” në kryeqytet, ka shkaktuar dëme materiale, frikë dhe tronditje te banorët e pallatit.

Ngjarja ndodhi në zonën e Freskut në Tiranë pas mesnatës, në katin e 4 të një pallati. Në shtëpi nuk kishte njeri dhe nga shpërthimi fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Sipas dëshmitarëve, shpërthimi i fortë është dëgjuar jo vetëm në pallatin ku ndodhi ngjarja, por edhe tek banesat pranë.

Si pasojë e shpërthimit ka pasur dëme të shumta materiale në banesën e fqinjit që ndodhet ngjitur me apartamentin e Dukës, por edhe te apartamentet e tjera në të njëjtin kat e jo vetëm.

LEXO EDHE:
– Në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Santiago Malkos, kapet në Belgjikë Leonard Duka
– Tritol në banesën e babait të vëllezërve Duka, të dyshuar për vrasjen e Santiago Malkos
– Vrasja e Santiago Malkos, SPAK kërkon dënimin me 25 vjet burg për Ilir Selmanin

Fqinjët e Muhamed Dukës, rrëfejnë tronditjen nga kjo ngjarje, që i ka frikësuar jo pak. “Në orën 3 pa 20 të natës ndjemë tronditje të madhe, ishim në gjumë u ngritëm. Ishim të dy bashkëshortët. U ngrit im shoq nëpër shpi vetëm tym dhe errësirë, hapëm dyer dritare. Derën (e jashtme) nuk e hapëm dot, ishte çarë, ishte copë-copë. U ngritën të gjithë fqinjët, lajmëruam policinë. Erdhi policia në orën 3. Deri në orën 7 ne nuk e hapnim dot derën, sa erdhën ata që hapën derën. Kështu, nuk e dimë nga se erdhi kjo. Muhamet Duka ka shtëpinë aty, atij që i është vënë ajo”, tregon një qytetare.

Një tjetër banor, rrëfen se jeton dy kate më poshtë, por dëme ka pësuar edhe shtëpia e tij. Ai tregon se si pasojë e traumës, disa banorë të pallatit kanë përfunduar në spital.

“Ja sa ka hyrë dera brenda nga presioni që ka pasur krejt pallati. Unë jam 2 kate më poshtë, dhe ka dëmtime, pale kati aty ku ka ndodhur. Aty kanë shpërthyer të gjitha dyert. Shpërthimi ishte i fuqishëm sa disa banorë kanë përfunduar në spital nga trauma, pasoja, tronditjet. Kalamaj të vegjël… Dëmtimet aty ku ka ndodh janë shumë të mëdha, janë shpërthyer të gjitha dyert janë hapur. Nuk e njoh pronarin ku është vendosur tritoli, thuhet që nuk banon njeri aty prej pak kohësh”, shprehet banori.

Ata i kërkojnë shtetit dhe policisë të marrë masa, sepse ndihen të frikësuar.

“Në këtë hyrje jemi 30 familje dhe jemi shumë të tronditur. I bëj thirrje shtetit, ne nuk jemi të siguruar brenda në shtëpinë tonë. Jemi në punën tonë në hallin tonë. Jemi pensionistë dhe nuk dimë asgjë”, – vijon njw tjetër fqinje.

Në shtëpinë e familjes Duka, prej kohësh nuk jetonte njeri. 65-vjeçari Muhamet Duka është babai i Leonard Dukës, i akuzuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në vitin 2019 në Tiranë dhe aktualisht i arrestuar në Belgjikë.

Së bashku me vëllain e tij Erlis Duka, ata akuzohen për disa ngjarje të rënda kriminale, duke qenë edhe në hasmëri me grupin e Ervis Martinajt, i shumëkërkuari i drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë