Bota

Foto-Video/ Bombat në spitalin e Mariupolit: çfarë ndodhi, versioni i Rusisë dhe Ukrainës

Gazeta Si – Pasditen e së mërkurës 9 mars, rreth orës 15:30, u bombardua një spital pediatrik-gjinekologjik në Mariupol, në juglindje të Ukrainës.

Materniteti dhe gjinekologjia u shkatërrua, duke vrarë tre persona. Të plagosurit janë 17, sipas informacioneve që vijnë nga qyteti-port.

Pamjet e para që dolën nga struktura, e dëmtuar kryesisht nga shpërthimet e forta, treguan gjithashtu një krater 6 metra të thellë dhe 15 metra të gjerë ku ndodhi pika e goditjes, pranë spitalit.

Ushtarët, vullnetarët, bashkëshortët dhe të afërmit e grave që ndodheshin në repart, kanë nxituar menjëherë dhe është dashur të pastrohet rruga nga rrënojat dhe pjesët e ndërtesës për të evakuuar pacientët, mjekët dhe infermierët.

Menjëherë pas lajmit për sulmin në spital, i cili u publikua në Facebook nga kreu i administratës ushtarake rajonale të Donjeckut, Pavlo Kyrylenko, i cituar nga “Ukrinform”, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskij foli për “një mizori” dhe tha se kishte mësuar për fëmijët nën rrënoja.

Ukraina flet për krime lufte dhe presidenti ka bërë sërish apel për ndalimin e zonës fluturuese në vend. Për të akuzuar Rusinë për krime lufte në lidhje me atë që ndodhi, janë edhe liderët e vendeve perëndimore (si qeveria britanike dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez).

Rusia, sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, fillimisht e kishte mohuar bombardimin dhe kishte deklaruar se “forcat ruse nuk qëllojnë objektivat civile”.

Por sot, të enjten, 10 mars, ai ndryshoi qëndrim, duke thënë se Kremlini do ta shqyrtojë ngjarjen dhe i kërkuar ushtrisë shpjegime për operacionin, sepse “as ju dhe as unë nuk kemi informacion të sigurt për atë që ka ndodhur”.

Gjithashtu të enjten, zyrtarë të tjerë publikë morën një qëndrim më agresiv në komentimin e sulmit, duke folur për “lajme të rreme”.

Dmitry Polyanskiy, zëvendës përfaqësuesi i parë i Rusisë në OKB, tha se ndërtesa e prekur ishte një ish-maternitet i marrë nën kontroll nga trupat ukrainase.

Sergej Lavrov, ministri i Jashtëm rus, foli edhe për bombardimin e spitalit gjatë konferencës për shtyp në fund të bisedimeve me ministrin ukrainas Kuleba: ai tha se “spitali ishte baza e batalionit Azov (duke iu referuar departamentit ushtarak ekstremist ukrainas). Civilët ukrainas u përdorën si mburojë”. Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka konfirmuar të paktën 18 sulme në spitale ose qendra mjekësore që nga fillimi i pushtimit rus dy javë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë