Politike

Fotot / Analiza maratonë e qeverisë, Rama thumbon me bujqësinë: Disa fshatin e shohin me dylbitë e mediave (3 stadiume të reja këtë vit)

“Projekte konkrete dhe punë konkrete”, shkruan Edi Rama gjatë maratonës dy ditore të mbledhjes së ministrave në ambientet e Vila 31 në ish-Bllok.

Përmes disa fotosh të publikuara nga vetë ai në faqen e tij Facebook, Rama është ndalur tek sektori i bujqësisë më i kritikuari jo vetëm nga opozita, por edhe deputeti socialist, Erion Braçe

“2022 jo vetëm rekord absolut i eksporteve bujqësore, po edhe realizim i objektivit ambicioz për gjysëm miliardë USD. Por ambicia jonë është të kapim 1 miliardë USD dhe ta bëjmë Shqipërinë e vitit 2030 kampione të Ballkanit edhe në eksporte bujqësore… dhe pastaj disa që fshatin e shohin vetëm me dylbitë e mediave thonë ka vdekur bujqësia…”, shkruan Rama

Kryeministri ka nënvizuar se analiza e detajuar e 12 muajve të kaluar i bën optimiste për një vit reflektimi mbi çdo sektor.

Më vonë, Rama foli për një tjetër projekt.

“Laboratorët smart dhe hyrja në mësimin e gjuhës digjitale qysh në klasën e parë do ta kthejnë hap pas hapi Shqipërinë në një hapësirë shembullore punësimi cilësor për të rinjtë, ndërkohë që programi i ri vjetor i Kodimit do t’u japë brenda një kohe të shkurtër të rinjve të përfshirë, çelësin për të hyrë tregun global online me paga të larta”

Rama informoi gjithashtu se këtë vit do të ndërtohen tre stadiume të reja me konkurse ndërkombëtare.  

“3 stadiume të reja nisin me 3 konkurse ndërkombëtare brenda pranverës, në Durrës, Vlorë dhe Korçë”, tha ai.

Po ashtu Kryeministri njoftoi se “Në prill mblidhet kësti i parë i Taksës së Jashtëzakonshme mbi prodhuesit e mëdhenj të energjisë dhe siç jemi zotuar, kjo taksë do të shërbejë për të mbështetur në radhë të parë pensionistët, e sipas mundësisë dhe radhës kategoritë më në nevojë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë