Pandemia duket se ka krijuar një lloj paradoksi për sportin francez, por në sensin pozitiv. Kjo situatë e ka shtyrë qeverinë që jo vetëm t’i përgjigjet krizës, por edhe ta mbështetë atë për të rilindur, pa i llogaritur fare shpenzimet si për nivelin profesionist, ashtu edhe atë amator.
Janë më shumë se 8 miliardë euro të destinuara për sportin nga qeveria franceze. Futbolli profesionist përfiton nga kjo shumë rreth një miliard euro, ku përfshihen huatë, taksat e fshira dhe fondet e humbura. Janë shifra shumë të larta, që nuk mund të krahasohen me vendet e tjera. Në Itali për shembull, qeveria ka parashikuar vetëm 5 milionë euro për Serienë A. As që mund të bëhet krahasimi.

Franca e ka marrë seriozisht. E tregon fakti që për të limituar dëmet që ka sjellë kufizimi i tifozëve në stadiume, ministrja e sportit, ish-kampionja e notit Roksana Maracineanu, ka organizuar më 11 janar një takim me instancat sportive bashkë me Bruno Lemaire, ministrin e ekonomisë dhe financave, si dhe me Zhan-Baptist Lemoine, ministrin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Mbështetja financiare është shumë e madhe dhe ndihmon klubet e futbollit për të përballuar humbje deri në 70% nga mungesa e të ardhurave.
Po ashtu, është zgjatur nga 6 në 10 vjet koha e rimbursimit të huave të dhëna nga shteti. Në total, klubet e Ligue 1 kanë përfituar 687 milionë euro, me taksën 1%. Kësaj shume i shtohen 48 milionë nga kontributet e fondit të humbur dhe 200 milionë të tjera nga taksat e fshira. Oksigjen për klubet e shkatërruara edhe nga rënia e të drejtës televizive.

Realisht një strategji për një frymëmarrje të thellë në prag të Olimpiadës së 2024-ës. Në shtator buxheti i ministrisë së sportit në Francë është shtuar me 22%, deri në 987 milionë euro. Një rekord.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje