Qytetarët francezë do t’u drejtohen qendrave të votimit ditën e dielë për zgjedhjet rajonale, ku partia e ekstremit të djathtë mund të mos arrijë rezultatet e vitit 2015, por do të mbetet gjithsesi një konkurrente e fortë në rajonet kyçe.
Të shtyrë për shkak të pandemisë, dy raundet zgjedhore që do të mbahen më 20 dhe 27 qershor do të përcaktojnë liderët e 13 rajoneve të Francës, që aktualisht drejtohen nga partitë e djathta, të qendrës dhe ato të majta.
Sondazhet nxjerrin të favorizuar të djathtën ekstreme të Marine Le Pen në jug, në veri dhe në lindje të vendit.
Drejtori i kompanisë së sondazheve IPSOS deklaroi se një fitore e mundshme e Le Pen në këto zona do të ishte hera e parë në historinë e partisë së saj dhe do të forconte besueshmërinë përpara zgjedhësve.
“Ka gjithnjë e më shumë votues që mendojnë se Marine Le Pen në fund të fundit nuk përbën rrezik për demokracinë. Madje, ka një numër të madh qytetarësh francezë që e konsiderojnë atë një mbrojtëse më të mirë të vlerave të republikës sesa Emmanuel Macron”, deklaroi Brice Teinturier, drejtor i kompanisë së sondazheve IPSOS.
Kandidatët e së djathtës ekstreme po menaxhojnë një platformë të bazuar tek siguria, me një rritje të numrit të votuesve që mbështesin linjën e ashpër të Le Pen kundër kriminalitetit dhe emigracionit.
Nga ana tjetër, partia e presidentit Emmanuel Macron rezulton shumë e dobët në sondazhe dhe ka gjasa që të shkojë drejt dështimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje