Bota

Frenat nuk funksionuan, dyshimet e para të tragjedisë së teleferikut në Itali

Një ditë pas tragjedisë së teleferikut që u rrëzua dhe i mori jetën e 14 personave, Prokuroria Italiane duket se po zbardh detaje nga hetimi.

Prokurorja e çështjes, Olimbia Bossi, ka deklaruar se tragjedia në teleferik ndodhi pasi nuk ka funksionuar sistemi i frenimit.

Përveç shkëputjes së kabullit, hetimi nga Prokuroria Publike do të duhet të përcaktojë pse frenat e emergjencës nuk funksionuan, duke shkaktuar 14 të vdekur, mes tyre fëmijë, gra dhe të rinj.

Nga të 15 pasagjerët që ndodheshin në kabinë, vetëm një 5-vjeçar ka mundur të shpëtojë. I mituri është në gjendje të rëndë dhe po lufton me vdekjen në Spitalin e Torinos në Itali.

Mediat italiane raportojnë se shtatë nga viktimat banonin në Lombardi, të tjerët janë nga Kalabria dhe Puljia. Viktima më e re ishte 2 vjeç. Në mesin e 15 viktimave ishte edhe një familje me origjinë nga Izraeli.

Tragjedia e fundjavës ndodhi në pikën më malore të provincës piemonenteze të Verbanias, në qytezën Stresa, rreth orës 12:30 të ditës së diel.

Sipas autoriteteve, kabina e udhëtarëve ishte afër stacionit të fundit, kur fillimisht u këput një prej kavove të sigurisë, e cila bëri që mjeti të mos frenonte, por të kthehej prapa me shpejtësi rreth 100 metra përpara goditjes fatale me një prej shtyllave ku mbahej i lidhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë