Bota

Frika nga varianti indian, BE kërkon ritme më të shpejta vaksinimi

Varianti indian ose Delta i COVID-19, vazhdon të përhapet me ritme të shpejta në të gjithë Europën.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka ngritur alarmin se Bashkimit Europian i duhet një qasje më e unifikuar për rregullat e udhëtimit në mënyrë që të parandalohet përhapja e tij

“Pas asnjë dyshim jemi të shqetësuar me variantin Delta”, u tha Merkel gazetarëve pas mbërritjes në Bruksel për të marrë pjesë në një samit të BE-së.

Po ashtu, agjencia shëndetësore e Bashkimit Europian shprehet se varianti shumë i transmetueshëm Delta i COVID-19, do të përbëjë 90% të të gjitha rasteve në vendet anëtare deri në fund të gushtit. Në këtë situatë, ajo bën thirrje për programe më të shpejta vaksinimi.

“Është shumë e mundur që varianti Delta të qarkullojë gjerësisht gjatë verës, veçanërisht midis më të rinjve që nuk janë në shënjestër për vaksinimin”, u shpreh doktor Ammon, drejtor i Agjencisë Europiane për Parandalimin e Sëmundjeve.

Portugalia tashmë po përshpejton programin e vaksinimit në kryeqytet pasi ka pasur rritje të rasteve me coronavirus, duke cilësuar shkaktar kryesor variantin Delta. Autoritetet kanë rihapur një qendër vaksinimi në stadiumin sportiv të Universitetit të Lisbonës, ku operohet nga ushtria. Vendi ka si burim të rëndësishëm të ekonomisë, turizmin dhe është i dëshpëruar për të pritur vizitorët.

“Këtu duhet të tërheqim vëmendjen për këtë përparësi. Kjo është një garë kundër kohës për portugezët, ne kemi nevojë për ndihmën e tyre”, – deklaroi presidenti portugez, Marcelo Rebelo de Sousa.

Por kancelarja, Angela Merkel dëshiron që shtetet e tjera europiane të ndjekin Gjermaninë, duke kërkuar që njerëzit që hyjnë nga vendet me nivele të larta të variantit Delta, si Britania, të kalojnë në karantinë.

Kjo nuk është ajo që industria e udhëtimeve dëshiron të dëgjojë. Anëtarët e saj po bëjnë thirrje që kufizimet e COVID-19 për udhëtimet të lehtësohen. Shumë ekspertë në të gjithë Europën thonë se për ata që kanë marrë dy doza të një vaksine e cila jep mbrojtje ndaj variantit Delta, duhet të jepet dhe liria e udhëtimeve.

Në shumë vende të botës janë ngritur shqetësime të mëdha për një valë të re të infektimeve për shkak të përhapjes së variantit Delta të koronavirusit, i cili besohet që është më i transmetueshëm se variantet e tjera.

Por, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se në përgjithësi vaksinat edhe ndaj këtij varianti mbeten shumë efektive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë