Bota

Frikë e një skenari ukrainas në Tajvan, Kina rrethon me avionë e anije ishullin: Po kryejmë një stërvitje

Kina ka nisur të mërkurën një stërvitje masive ushtarake në ujërat përreth Tajvanit, pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi në Taipei.

Ushtria Popullore e Kinës njoftoi se stërvitja po mbahet me municione të vërteta dhe në të janë përfshirë dhjetra avionë, tre kryqëzore dhe tre nëndetëse.

Mes avionëve që po përdoren janë edhe J-20, avionët e fundit luftarakë prodhim vendas i Kinës dhe disa avionë Su-35 prodhim rus.

Zyrtarisht Pekini nuk ka njoftuar se sa do të zgjasë stërvitja, por harta e zhvillimit të tyre rrethon të gjithë Tajvanin, çka ka ngritur dyshime se vendi komunist mund të përdorë të njëjtin skenar si Rusia për të pushtuar ishullin e shkëputur prej vitit 1940.

Para se të ndërhynte në Ukrainë, Rusia justifikoi grumbullimin e trupave të saj në pranë kufirit mes dy vendeve dhe në Bjellorusi me zhvillimin e një stërvitjeje ushtarake. Më 24 shkurt, nisja e bombardimeve dhe ndërhyrja në Ukrainë provoi të kundërtën.

Të njëjtin arsyetim po jep edhe Kina në lidhje me grumbullimin e trupave përreth Tajvanit. Sipas ekspertëve, veç trupave që po marrin pjesë në stërvitjen e nisur, Kina ka grumbulluar edhe mbi 500 mijë ushtarë në brigjet e ngushticës gati për të luftuar.

Përshkallëzimi i tensioneve ka ngjallur shqetësime edhe në OKB. Sekretari i Përgjithshëm i saj, Antonio Guterres tha se njerëzimi është vetëm një keqkuptim larg vetëshkatërrimit bërthamor, duke iu referuar situatës së tensionuar mes Kinës e Rusisë nga njëra anë dhe Perëndimit nga ana tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë