Gazeta Si – Momente frike në Uashington, pasi policia urdhëroi evakuimin e Kapitol Hill. Selia e Kongresit Amerikan në kryeqytet, u vu nën alarm për shkak të një kërcënimi ajror.
Prania e një mjeti fluturues të paidentifikuar, shkaktoi alarmin kundër terrorizmit.
Ankthi zgjati disa minuta dhe mediat amerikane njoftuan se alarmi u aktivizua nga një aeroplan me parashutistë për stërvitje.
Garrett Haake, korrespondent i NBC-së për Kongresin Amerikan, postoi në Twitter se ai pa disa njerëz që hidheshin me parashutë pranë Kapitolit.
Televizioni, duke cituar policinë, raportoi se ishte një stërvitje rutinë nga ekipi “Army Golden Knights” në stadiumin e afërt të “Washington Nationals Park”.






“Mundet që ata nuk e informuan policinë e Kapitol Hill se do të ishin në hapësirën e tyre ajrore. Një police më tha se pa një aeroplan të vogël që dukej se po rrotullohej përpara se parashutistët të hidheshin”, – shkroi Haake. Stadiumi ndodhet afërsisht 2.5 km nga Kapitol Hill.
Kryetarja e Dhomës Amerikane, Nancy Pelosi, denoncoi “neglizhencën e dukshme” të Administratës Federale të Aviacionit (FAA), autoriteti amerikan i ngarkuar me kontrollin e fluturimeve.
Ajo akuzoi se ata kanë shkaktuar “një panik të panevojshëm” në Kapitol.
“Fakti që autoriteti amerikan i fluturimit me sa duket nuk ka informuar policinë e Kapitolit për fluturimin e planifikuar në stadiumin ‘Nationals’, është skandaloz dhe i pajustifikueshëm”, thuhet në një deklaratë.
“Paniku i panevojshëm i shkaktuar nga kjo neglizhencë e dukshme ka qenë veçanërisht i dëmshëm për zyrtarët e zgjedhur, stafin dhe punonjësit, gjithmonë të tronditur nga trauma e sulmit në vendin e tyre të punës më 6 janar”, – vijon deklarata, duke iu referuar sulmit të pësuar nga Kongresi në janar 2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje