Politike

Frikë për trazira pas Kuvendit të Berishës, forca të shumta policie pranë godinës së PD

Frika se në përfundim të votimit për shkarkimin e Lulzim Bashës mbështetësit e Sali Berishës mund t’i drejtohen godinës së Partisë Demokratike, çka mund të sillte edhe përplasje mes dy palëve ka zhvendosur forca të shumta policie pranë selisë së kësaj partie.

Të paktën një autobot me top uji dhe disa furgona policie të mbushur me efektivë janë vendosur në rrugën George W. Bush, pranë xhamisë së Namazgjasë.

Gazeta Si mëson se zhvendosja e forca të policisë nuk është bërë posaçërisht për mbrojtjen e godinës së Partisë Demokratike, por për mbrojtjen e godinës së seancave plenare të Kuvendit, nisur nga afërsia mes dy godinave.

Policia ka përcaktuar një perimetër sigurie në zonë dhe ka gati edhe një plan paraprak veprimi në rast trazirash. Megjithatë, burime të Gazetës Si thonë se mundësitë që ky skenar të ndodhë mbeten të pakta, por gjithsesi, masat paraprake janë marrë për të shmangur çdo skenar të mundshëm.

Ndërkohë, në Air Albania delegatët e thirrur në Kuvendin e Sali Berishës vijojnë me votimin për shkarkimin e Lulzim Bashës. Vetë ky i fundit, që këtë Kuvend e ka cilësuar miting të Sali Berishës ndodhet në selinë e partisë për të festuar 31-vjetorin e themelimit të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë