Dhuna në fundin e ndeshjes Kamza-Laçi ndaj arbitrit Eldorjan Hamiti vuri në lëvizje gjithë FSHF-në. Që të dielën në mbrëmje dhe gjithë ditën e hënë, përfaqësuesit kryesorë të saj kanë ngritur zërin, duke fajësuar direkt Policinë e Shtetit për mungesën e sigurisë në stadiumet tona, ku dhunohen edhe zyrtarët e ndeshjes. Dukej sikur FSHF mezi e priste këtë rast për të sulmuar Policinë, që sipas “qeverisë” së futbollit në vend, duhet të kthehet në stadium, pasi kështu nuk vazhdohet.
Pas deklaratave të përfaqësuesve të FSHF-së, të cilët kërcënuan edhe me bojkot të kampionatit, ka ardhur edhe reagimi zyrtar i Policisë së Shtetit, që kalonte në “kundërsulm”, duke akuzuar FSHF-në si përgjegjëse direkte për mbarëvajtjen e aktiviteteve që ajo vetë organizon. “Referuar ngjarjeve të fundit, Policia e Shtetit ndihet e keqardhur për reagimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, aq më tepër për gjuhën e akuzave, duke u përpjekur të shkarkojë përgjegjësitë te Policia e Shtetit dhe duke mos marrë përsipër asnjë përgjegjësi si aktore kryesore e organizimit të aktiviteteve sportive. Policia është vetëm një nga aktorët dhe jo institucioni përgjegjës për organizimin, menaxhimin dhe mbarëvajtjen e eventeve sportive. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përmes shkresave zyrtare drejtuar Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, ka kërkuar marrjen e masave në zbatim të ligjit për Sportet, për garantimin e Kampionatit të Futbollit”, – shkruhej mes të tjerash në deklaratën e Policisë, që jepte të dhëna të detajuara për gjithë stadiumet në vend, duke evidentuar faktin se vetëm stadiumet e Shkodrës dhe Elbasanit ofrojnë kushtet e nevojshme për sigurinë.

Nuk ka vonuar reagimi i radhës i FSHF-së, që sulmonte sërish Policinë e Shtetit, duke e sfiduar atë, nëse bëhet fjalë për një betejë juridike. Në këtë reagim të fundit shkruhej: “Policia e Shtetit më në fund gjeti kohën për të shkruajtur disa faqe deklaratë, ku nuk gjetëm një frazë në të cilën ndjehej keqardhje për dhunëm mbi trupin dhe kokën e gjyqtarit të ndeshjes, që ishte duke ushtruar detyrën e tij. Policia e Shtetit nuk jep një përgjigje për shqetësimet e ngritura nga FSHF. Policia e Shtetit, që sipas ligjit ka për detyrë institucionalisht të ruajë rendin dhe sigurinë publike në mjediset sportive, ende nuk ka dhënë një përgjigje për selektivitetin e ndërhyrjes në stadiumet shqiptare, por vazhdon të fshihet pas korrespondencave dhe shkresave. Policia e Shtetit kërkon që në çdo stadium të Shqipërisë kamera sigurie, sikur të mos mjaftonin pamjet, ku agresorët janë filmuar në çdo ndeshje nga kamerat e transmetuesve zyrtarë dhe reagimi ka qënë zerro. Nëse kjo është një betejë juridike jemi gati ta sfidojmë. Nëse është një betejë burokratike, jemi gati ta injorojmë. Nëse është një betejë për të ndihmuar futbollin, jemi gati të bashkëpunojmë, që loja më e dashur e sportdashësve shqiptar të mbetet më e mira.
Duket sikur Policia e Shtetit jeton në një planet tjetër, kur deklaron se futboll në Shqipëri duhet të lejohet të luhet vetëm në dy stadiume, në Shkodër dhe Elbasan, në ato stadiume që menaxhon FSHF. Ky është realiteti shqiptar, ku organi që ka për detyrë të ruajë rendin dhe sigurinë publike, na mëson si mund ta bllokojmë lojën më të bukur në botë. Është e trishtueshme të vëresh që organi shtetëror që duhet të kryejë detyrën dhe të na ndihmojë, bën thjesht karshillëk me realitetin shqiptar të futbollit. Qesharake, që na kërcënojnë se do të denoncojnë FSHF-n si organizatore të aktivitetit. Duhet ta mirëkuptojmë Policinë e Shtetit, që duhet të ruajë godinën e Parlamentit dhe ligjvënësit. Ata nuk na mirëkuptojnë për një dëshirë të thjeshtë: të luajmë futboll, të kënaqim popullin dhe ta bëjmë krenar atë!
Një luftë në distancë deklaratash me dy institucioneve, asgjë me rëndësi për atë çfarë mund të bëhet për parandalimin e dhunës, që është thelbësore. Vetëm akuza për të gjetur fajtorin dhe asnjë hap konkret për marrje masash. Edhe këtë radhë, çudia më e madhe do të zgjasë prapë 3 ditë!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje