Sport

FSHF rikthehet në KOKSH, miratohet rregullorja për KAS-in shqiptar

Gazeta Si – FSHF është rikthyer në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Institucioni që drejton futbollin në vend ka marrë sot pjesë në asamblenë e përgjithshme.

Më parë FSHF e kishte refuzuar pjesëmarrjen. Presidenti i saj, Armand Duka, ka pasur jo pak përplasje me këtë institucion.

Arsyeja e rikthimit duket se ka të bëjë me çështjen e shumëpërfolur të Këshillit të Arbitrazhit Sportiv. Sepse në rend dite asambleja e sotme kishte edhe miratimin e rregullores së KAS-it shqiptar.

Envi Hicka, përfaqësuesi i FSHF-së në asamblenë e KOKSH-it. Gazeta Si, 28 maj 2022

FSHF, me anë të juristit Envi Icka, e kundërshtoi rregulloren për faktin se ishte ndryshe nga ajo që kishte marrë 20 ditë më parë. Gjithsesi, rregullorja u miratua me shumicë votash.

Në vazhdim do të ketë një tjetër asamble, ku sipas presidentit të KOKSH-it, Fidel Ylli, do të zgjidhen 3 anëtarët e KAS-it shqiptar.

Me krijimin e këtij institucioni, shumë probleme ligjore sportive do të zgjidhen në Shqipëri. Nuk do të jetë më nevoja për t’i ndjekur çështjet në gjykatat jashtë vendit.

Asambleja miratoi edhe buxhetin për projektin e sportit në shkolla. U pranuan dy anëtarë të rinj në Komitetin Olimpik, Shoqata Kombëtare Padelit dhe Federata Shqiptare e Ndeshjes së Lirë.

Po ashtu, u vendos që atleti Izmir Smajlaj të jetë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të KOKSH-it.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë