Gazeta Si- Ftesa e kryeministrit Edi Rama për partitë politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut për t’u takuar në Tiranë ka ngjallur reagime në Shkup.
Edhe pse nuk ka një agjendë për takimin e së martës në vilën 30 në kryeqytetin shqiptar, mendohet se do të diskutohet mbi sigurimin e votave për kalimin e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që t’i hapet rrugë procesit të integrimit. Nga partitë shqiptare, “Besa” e Bilal Kasemit ka refuzuar takimin. Për këtë qëndrim ka reaguar përfaqësuesi i BDI-së në qeverinë Kovaçevski, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. Ai u shpreh se s’ka asnjë konspiracion mbi të ftesë, pasi sipas tij, Rama është një mik i Maqedonisë së Veriut.
“Unë kuptoj që partitë politike kanë interes që të shfrytëzojnë çdo situatë për nevojat e politikës ditore, por vërtetë ndonjëherë kalon edhe shijen e mirë kur nuk mund të bëni dallimin ndërmjet një interesi më të madh rajonal për të bashkërenduar qëndrimet, aktivitetet në kuadër të një miqësie të mirë mes dy vendeve tona. Kjo futet në kuadër të interesave partiake dhe politike, vërtetë ata duhet të sqarohen para opinionit, para elektoratit të vet për shkak se unë e shoh si të pashije, të pa planë dhe pa strategji dhe mbetet që ata të shpjegojnë qëndrimet e tyre”, deklaroi ministri Osmani.
Ndërsa partia më e madhe e opozitës, VRMNO-DPMNE e sheh me dyshime këtë nismë dhe e lidh me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, duke deklaruar se mund të ketë një platformë të dytë të Tiranës.
“Është interesante se si vetëm LSDM-ja nuk ka asgjë kundër këtij takimi ku për çështjet maqedonase koordinohen në Tiranë. Aliu, siç duket, do ta mësojë Tiranën për agjendën e gjelbër ose do të përgatisë një platformë të dytë tiranase të cilën më pas Aliu do ja japë Kovaçevskit? Marrëveshja e vetme që mund të dalë është bashkimi kundër krimit dhe marrëveshje për zgjedhje që populli të mund të vendosë”, deklarojnë VMRO-DPMNE.
Ndërsa partia në pushtet, LSDM-ja nuk e sheh takimin si problematik por në drejtim të ndërtimit të një rajoni evropian.
“Edi Rama është mik i dëshmuar i Maqedonisë dhe i popullit maqedonas, Shqipëria është vendi ynë mik me të cilin ecim së bashku në rrugën evropiane dhe ndihmojmë njëri-tjetrin, jemi bashkë në aleancën e NATO-s, nuk kemi çështje të hapura dhe bashkëpunimi ekonomik është në nivelin më të lartë përmes nismës Ballkani i Hapur. Çdo takim, formal apo joformal, që është në interes të dy vendeve dhe të dy popujve është për ne në drejtim të ndërtimit të një rajoni evropian”, thonë nga LSDM.
Deputeti shqiptar, i pavarur Skender Rexhepi kujton takimin e gjashtë viteve më parë të cilin thotë se Rama e kishte bërë në cilësinë e “zëdhënësit të BDI-së”, për interesa partiake të partisë së Ali Ahmetit. “Është shumë e qartë që Edi Rama nuk ka legjitimitet të mbledh partitë shqiptare për çështjet që i prekin shqiptarët këtu në Maqedoni, kjo pasiqë, edhe prapa takimit të nesërm, do të rezultojë ndonjë truk i radhës që “do t’ia dëgjojmë zërin nesër”.Nëse veçse duhet dikush nga jashtë të bëjë ftesa, atëherë për momentin, i vetmi që ka kredibilitet dhe legjitimitet kombëtar të mbledh partitë politike shqiptare nga Maqedonia e Veriut, është kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili si burrështetas i paanshëm, më së miri mund t’i këshilloj dhe kahëzojë “liderët” tanë në mbrojtjen e vijave të trasha kombëtare dhe politike këtu në vend”, ka reaguar Rexhepi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje