Futboll

Fundi i një ere, askush si Lionel Mesi në historinë e Barcelonës


Lionel Mesi nuk ka rinovuar me Barcelonës dhe tashmë është lojtari pa kontratë më i shtrenjtë në historinë e futbollit. Një komunikatë e klubit katalanas ka zyrtarizuar epilogun surprizë të bisedimeve, që deri pak orë më parë dukej se do të mbylleshin me rinovimin e argjentinasit edhe për 5 vite të tjera.

Lamtumira e “Pleshtit”, që u bashkua që fëmijë me Barcelonën, shënon fundin e një ere: 672 gola në 778 ndeshje zyrtare. Për momentin është e pamundur të thuhet se cila do të jetë e ardhmja e tij, nëse vërtet do të largohet, sepse komunikata e Barcelonës mund të shihet edhe si presion ndaj Ligës. Gjithsesi, nëse Mesi largohet, e bën këtë si një rekordmen absolut.

Përveçse është lojtari me më shumë ndeshje dhe më profilik në historinë e klubit katalanas, Mesi është futbollisti i Barcelonës që ka fituar më shumë kampionatin (10 tituj) dhe ai që ka ngritur më shumë trofe (35). Askush nuk ka luajtur në “El Clasico” më shumë se ai (45) dhe askush nuk ka shënuar më shumë se ai në portën e Real Madridit (26). Por, nëse do të fitojë “Topin e Artë” për herë të 7-të, duhet ta bëjë me një fanellë tjetër dhe jo atë katalanase.

Numrat e Mesit te Barcelona
810 ndeshje të luajtura (përfshirë edhe Barcelonën B dhe C), 683 gola të shënuar dhe 305 asiste.
Trofetë: 10 tituj në La Liga, 4 Champions League, 8 Superkupa të Spanjës, 7 Kupa të Spanjës, 3 Superkupa Europe, 3 Botërorë për klube.

Arritjet personale: 6 “Topa të Artë”, 8 herë shënuesi më i mirë i La Ligës, 6 herë shënuesi më i mirë i Championsit, 10 herë lojtari më i mirë i La Ligës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë