Politike

Fundi i votimeve, pse Kryemadhi shpalli fitoren, dhe thirrja e Metës

Ajo që reagoi menjëherë pas mbylljes së orarit zyrtar të votimit, ishte Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së.

Ndërsa sondazhet pas mbylljes së votimit po i nxjerrin partitë me rezultat shumë të ngushtë, Monika Kryemadhi tha në një njoftim për shtyp se LSi ka fituar.   

“Opozita e bashkuar fiton 85-90 mandate. Nga 28-30 mandate merr LSI-ja. Duhet të çojmë deri në fund këtë proces. Çdo votë e hedhur në kutitë e votimit është votë e shenjtë. Simpatizantët e LSI-së dhe të PD-së dhe të gjithë aleatët do të vazhdojmë këtë proces. Kjo është një nga ditët më të rëndësishme. Zoti ju ruajt, Zoti ju ruajt ju dhe shqiptarët. Shqiptarët janë më europianë se europianët”, tha Kryemadhi ndërsa Exit poll=et e nxjerrin LSI maksimumi 6-8 deputetë.

Pas Kryemadhit nuk ishte Basha që doli por Ilir Meta. Edhe Meta, ashtu si Kryemadhi me të njëjtën thirrje dhe një kundërshti për sondazhet, që si subjekt politik nxjerrin fitues PS

“Faleminderit qytetarëve për pjesëmarrjen rekord në këto zgjedhje dhe qytetarinë e treguar!

Tani administrimi me integritet të lartë të procesit zgjedhor është sfida më e madhe.

Qytetarët të jenë të qetë se asnjë vote nuk mund të tjetërsohet nga askush.

Mos u ndikoni nga sondazhet se me ato do qeshni të gjithë”, shkruan Meta në Facebook.

Më pas Ilir Meta doli tek thelbi, pikërisht tek komisionerët kur deri më tash ata që janë shfaqur problematikë kanë qënë të LSI-së.

Një ditë para votimit kishte braktisje madje të disa prej tyre para fillimit të procesit.

“Shqipëria ka fituar me këtë proces historik deri tani. Përgjegjësia e komisionerëve tani dhe e numëruesve, e jashtëzakonshme për përmbylljen dinjitoze të zgjedhjeve”, shkruan Meta në Facebook. Brenda pak minutash edhe një thirrje tjetër:

“Askush të mos guxojë të cenojë këtë proces madhështor elektoral për llogari meskine!Asnjë votë nuk mund të tjetërsohet! Sondazhet, që jepen, kanë vetëm prapavija partiake dhe ju do të argëtoheni me to në fund të procesit.”

Si Kryemadhi ashtu edhe Meta thirrjen e qartë e kanë për komisionerët dhe jo pa qëllim.

Qëndrimi i tyre është thikë me dy presje për mënyrën se si do të shkojë mbarëvajtja e procesit të numërimit, (ajo më e rëndësishmja), për ta shfrytëzuar më pas politikisht. Dhe në këtë drejtim Kryemadhi dhe Meta u nxituan. Me dashje.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë