Prej dy ditësh, Presidenti i Republikës, Ilir Meta po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë ku enkas në çdo takim të zhvilluar (përveçse me zyrtarët e PDK-së), Ilir Meta e ka vënë theksin tek zbatimi i Procesit të Berlinit duke kundërshtuar hapur një tjetër nisme atë të Ballkanit të Hapur që deri më tash nga Kosova zyrtare nuk përkrahet.
Meta e ka cilësuar këtë nisme si përcarëse dhe përjashtuese, duke e vënë theksin tek ai i Berlinit.
E ka bërë këtë gjë si në takimin me pedagogë dhe studentë të një universiteti privat në Prishtinë ashtu edhe në takimin e zhvilluar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Edhe në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Meta ka përcjellë të njëjtat mesazhe, duke nënvizuar gjithashtu se edhe marrëveshjet që miratohen në letër mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë duhet të gjejnë vend në praktikë.
“Në prag të mbledhjes së përbashkët të të dy Qeverive në Elbasan, Presidenti Meta shprehu besimin dhe nevojën që marrëveshjet që janë finalizuar e do të nënshkruhen, të konkretizohen në praktikë, për t’i shërbyer në mënyrë thelbësore forcimit të lidhjeve, si dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë.
Gjithashtu Meta shprehu mbështetjen për të gjitha nismat rajonale gjithëpërfshirëse, si Procesi i Berlinit, që garantojnë konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve. Ai tha se këto nisma janë kyç për garantimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajon.
Në bisedën e hapur për rëndësinë e përshpejtimit të procesit të dialogut me Serbinë, Presidenti Meta theksoi se është mjaft e rëndësishme konsultimi dhe mbështetja nga të gjitha forcat politike në Kosovë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.
Meta sa duket i ka bërë qejfin të gjithëve kur ne takimin me drejtuesit e lartë të PDK-së ai e ka vënë theksin tek një tjetër debat ne Kosovë.
Gjatë takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. presidenti Meta shprehu besimin e tij në pafajësinë e ish-presidentit Thaçi dhe ish-kreut të kuvendit Kadri Veseli, si dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tjerë të UÇK-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje