Politike

Fushata / Vetëm 2 ministra dhe 1 pa portofol, a po paralajmëron Rama ndryshime në qeveri?

Në Labinot të Elbasanit, Partia Socialiste lajmëroi pa shumë bujë se do të mblidhte grupin parlamentar, pak ditë para fillimit të sesionit të ri të Kuvendit.

Edhe pse mediat po i kushtonin vëmendje të madhe, (për shkak edhe të thatësirës politike) Taulant Balla kryetari i grupit parlamentar nuk kishte paralajmëruar paraprakisht ndonjë thagmë.

Por jo, ndryshe nga çdo fushatë tjetër, Edi Rama ndau punët elektorale në qarqe më herët, duke u paraqitur me ekipin që do të shkojë në zgjedhje.

Ata nuk janë as më shumë  e as më pak se sa ministra dhe ish-ministra, me një ndryshim të madh, se ndryshe nga herët e tjera, Rama u ka besuar shumë më pak ministrave aktuale drejtimin e fushatës.

Elisa Spiropali, që mban detyrën e Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin do të jetë pjesë e ekipit të Erion Veliajt, Bledi Çuçi në Gjirokastër (ka qenë edhe më herët) aktualisht Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Olta Xhaçka, Ministrja e Mbrojtjes, e angazhuar edhe më parë, kësaj here në Dibër në vend të Ilir Beqajt.

Më saktë dy emra ministrash Çuçi dhe Xhaçka dhe një ministre pa portofol, Spiropali.

Asnjë prej tyre nuk ka protagonizmin e ministrave të tjerë në qeverinë “Rama”.

Madje, Spiropali në Tiranë përshembull do të jetë më shumë mbështetëse e ekipit që do të drejtojë Erion Veliaj, pjesë e të cilit do të jetë edhe Ervin Bushati.

Me një sy krejt të ftohtë rezulton se Rama i ka besuar drejtimin më të madh të qarqeve ish-ministrave të tij të 2013-ës (të angazhuar edhe më parë), dhe ka lënë në minorancë ministrat aktuale 

A është kjo një zgjidhje taktike elektorale e Edi Ramës se me atë ekip fiton sërish, apo një paralajmërim për ndryshime në qeveri sa kohë që drejtimin e fushatës në qarqe ai ia ka besuar sërish ish-ministrave 5 vjeçarë që i hoqi para 2 vjetësh? Kjo mbetet për tu parë dhe kuptuar shpejt në mbledhjen e afërme të Asamblesë Kombëtare për të cilën nuk është caktuar ende një datë konkrete.

Ish-ministrat

Ilir Beqaj do të drejtojë fushatën e PS-së në qarkun e Shkodrës, aty ku edhe problemet kanë qenë më të mëdha pas përjashtimit të Valdrin Pjetrit dhe përplasjeve që Edi Rama ka me ish-ministrin Ditmir Bushati

Ish-Ministri i Energjitikës Damin Gjiknuri rikthehet në Vlorë, aty ku deri dje ishte kryeministri Edi Rama.

Vetë Rama do të drejtojë qarkun e Durrësit jo vetëm për shkak të presionit të huaj (kryesish të Ambasadës Amerikane) për të mos angazhuar Vangjush Dakon, por edhe për të marrë në dorë frenat e qarkut më të goditur nga tërmeti i 26 Nëntorit, aty ku edhe pakënaqësia ndaj socialistëve sipas sondazheve është më e madhe. 

Lindita Nikolla, ish-ministre e Arsimit do të vijojë të mbulojë qarkun e Lezhës edhe pse aty u përfol mjaft ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Por përplasjet e këtij të fundit, si i deleguar, me kryebashkiakun Pjerin Ndreu kryesisht për pasojat e tërmetit, disa lëvizjeve në polici dhe denoncimeve nga Ndreu se policia po diskriminonte Lezhën me qëndrimet me dy standarde që ajo po aplikonte me gjobat ndaj mos zbatimit të masave anti-Covid ka bërë që Rama t’i bësojë sërish një figureje të tretë dhe të paqtë, Lindita Nikollës.

Niko Peleshi ish-zv/kryeministër dhe më pas ministër i Bujqësisë (edhe pse në raporte të ftohta me Ramën) do të vijojë të mbulojë Korçën. Sa duket, Rama (pavarësisht qejfmbetjeve me Peleshin) nuk ka kaluar ndër mend ndonjë emër tjetër bindës qoftë edhe ministri për të ndryshuar drejtimin e fushatës për qarkun Korçë.  

Për të kaluar më pas tek Gramoz Ruçi i cili mbetet në drejtimin e fushatës për qarkun e Fierit, Taulant Balla në Elbasan dhe Safet Gjici në Kukës, aty ku më parë ka qenë Mimi Kodheli. I paqartë mbetet qarku i Beratit aty ku deri tani drejtohej nga ministri Blendi Klosi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë