Futbolli në Shqipëri lëngon në shumë drejtime, por atë që e shohin të gjithë është infrastruktura, ku vendi ynë është mjaft defiçitar, sidomos në kategoritë inferiore, ku ndodh gjithçka. Në stadiumin e Orikumit është luajtur në fundjavë ndeshja Oriku-Tomori në kushte skandaloze, sepse vetëm fushë futbolli nuk ishte. Ishte një moçal i vërtetë, ku lojtarët e dy skuadrave mundoheshin të shtynin topin me të gjithë mënyrat.

Një video e shpërndarë nga gazetari investigativ, Artan Hoxha, po bën xhiron e rrjeteve sociale. Në kategoritë inferiore, ku monitorimi është më i paktë, ndoshta pamje të tilla në këtë periudhë janë të zakonshme, por në stadiumin Orikumit është shkelur çdo rregull dhe vetëm për futboll nuk mund të flitej.
Në këtë situatë, ajo që bën përshtypje është papërgjegjshmëria e zyrtarëve të ndeshjes, duke nisur nga arbitri kryesor dhe delegati i ndeshjes. Në të tilla kushte, rregulli është që topi duhet të kërcejë në pjesën më të madhe të fushës, që ndeshja të luhet, por ndoshta arbitri, pak rëndësi ka si e ka emrin, nuk e ka bërë fare këtë test. Përgjegjës direkt është edhe zyrtari i FSHF-së, i cili i ka mbyllur të dy sytë dhe ka lejuar zhvillimin e ndeshjes, që duhej shtyrë patjetër, kuptohet qartë nga pamjet. Kushtet skandaloze, ku luhet futboll në shumë fusha dihen, pasi FSHF bën shumë pak për skuadrat e kategorive të ulëta, por papërgjegjshmëria e zyrtarëve të këtij institucioni është e papranueshme. Një tregues i qartë pse futbolli në Shqipëri është në gjendje të mjeruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje