Në një moment të vështirë për shkak të Koronavirusit, shumë klube mendojnë për ide të reja për afrimin e tifozëve. Një ide shumë e veçantë është ajo e drejtuesve të Apollon Limasolit, skuadër e nivelit elitar në Qipro. Ata kanë menduar t’u japin fansave të tyre mundësinë të bëjnë formacionin për derbin miqësor me Aris Limasolin më 9 tetor.
Miratimin për këtë iniciativë e ka dhënë edhe trajneri Sofronis Avgusti, i cili është shprehur: “Si klub, duam të kemi një lidhje speciale me tifozët tanë dhe duam që ata ta ndjenë veten të përfaqësuar në mënyrën më të mirë. Duke nisur nga miqësorja me Arisin, do t’u japim tifozëve mundësinë të na ndihmojnë mua dhe stafin. Besoj se do ta vlerësojnë këtë mundësi dhe faktin që e marrim në konsideratë opinionin e tyre”.
Propozimi është lançuar me ndihmën e aplikacionit “Socios.com”. Aleksandër Dreifus, themelues i këtij shërbimi, e ka vlerësuar shumë idenë e klubit qipriot. “Klubet sportive nuk janë asgjë pa tifozët e tyre dhe Apolloni po u jep besim maksimal atyre, duke i lejuar të zgjedhin formacionin, edhe pse bëhet fjalë për një miqësore. Tifozët mund të votojnë nëpërmjet aplikacionit 11-shen titullare dhe skemën e lojës. Ky është tipi i raportit që duhet të ketë klubi me tifozët”.
Në fakt, një iniciativë e kësaj natyre nuk është e re në botën e futbollit. Juventusi kohë më parë kërkoi mendimin e tifozëve për të zgjedhur këngën që do të dëgjohej në stadium pas çdo goli të shënuar, si dhe për dizenjon e autobusit zyrtar të skuadrës. Edhe në Spanjë ka pasur raste të tilla. Barcelona ka vendosur për imazhet në muret e dhomave të zhveshjes pas një sondazhi me tifozët e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje