Inter-Napoli u bë më tepër një kronikë gjyqësore se një ndeshje futbolli. Sfida mes vendit të dytë dhe të tretë, goli i Lautaro Martinez në minutën e 92-të, Juventusi që vazhdon shkëputjen: të gjithë këto do të ishin tema të nxehta futbolli, nëse nuk do të kishin ndodhur incidentet e dhunës, ku humbi jetën një tifoz interist, si dhe episodet raciste në “San Siro” kundër mbrojtësit Kulibali. Inter-Napoli u kthye në një tjetër ndeshje, edhe politike.
Ministri i Brendshëm i Italisë, Mateo Salvini, ka thënë fjalën e tij për ngjarjen e së mërkurës në mbrëmje në Milano: “Trazirat kanë ndodhur larg stadiumit dhe kanë të bëjnë me njerëzit e krimit, ata nuk janë tifozë. Nuk dua që të përzihen me 99% të tifozëve që janë persona për së mbari dhe që shkojnë në stadium me fëmijët e tyre. Duhet të ndërgjegjësojmë shoqërinë dhe tifozerinë. Kam vendosur në dekretin e sigurisë pikën që kostot e sigurisë publike, që shkojnë në dhjetëra milionë euro, të mos paguhen më nga italianët, por nga klubet e futbollit. Duhet të jemi më të ashpër karshi atyre që nxjerrin thikën, por pa penalizuar miliona italianë që shkojnë qetësisht në stadium. Të ulim në tavolinë klubet dhe tifozeritë e organizuara mendoj se është zgjidhja e vetme”, – ka thënë Salvini.

Por qëndrimi i Salvinit ka sjellë reagimin e menjëhershëm të politikanëve të tjerë italianë. Më të ashpër kanë qenë Paolo Xhentiloni dhe Mateo Renci, dy ish-kryeministra. “Tani të gjithë dënojnë bandat e ultrasve, koret e tyre raciste dhe dhunën kundër forcave të rendit. Mirë, por sa keq që Ministri i Brendshëm shkoi t’i përgëzonte ultarsit jo më larg se 10 ditë më parë”, – shkruan Xhentiloni në Tuiter.
Mateo Renci, në një postim të tij në Facebook, ka qenë edhe më i ashpër ndaj Salvinit: “Jam një njeri institucionesh dhe mendoj se Ministri i Brendshëm ka detyrën të marrë një iniciativë për këto çështje. Por nëse ai dëshiron të jetë i dobishëm, duhet të ketë më shumë kredibilitet. Koret raciste ia shpifin gjithmonë Salvinit, por ai duhet të kujtojë se disa vite më parë ato kore i këndonte ai vetë, kundër napoletanëve. Kush është i dënuar drogë dhe dhune duhet të jetë i izoluar, jo të përqafohet, siç ka bërë Salvini pak javë më parë. Salvini është përgjegjës për sigurinë tonë, por të përqafosh të dënuarit dhe të këndosh kore raciste, nuk është e denjë për një Ministër të Brendshëm”.
Italia është vënë në qendër të vëmendjes këto ditë edhe të medieve të huaja, pas incidenteve të fundit mes tifozëve. Futbolli italian është ende larg kampionateve prestigjioze europiane dhe drejtuesit e tij duan të marrin masa të forta, deri në pezullim të ndeshjeve apo kampionatit, nëse do të ketë përsëritje të rasteve të dhunës dhe koreve raciste.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje