Kritika të ashpra për skuadrën e drejtuar nga trajneri Solskjaer, që në kampionat është e 15-a, ndërsa në Champions dukej se kishte gjetur hapin e duhur, por në Turqi “kështjella” u shemb nga 2 gola të pësuar në mënyrë të habitshme, çka ka sjellë reagimin e ashpër të dy ish-lojtarëve lider te Mançester Junajitd, Pol Skolls dhe Rio Ferdinand.
Goli i parë u pësua nga një gabim flagrant, që për skuadra të këtij kalibri është i pafalshëm. Gjatë një goditjeje nga këndi, Mançesteri harroi të linte një lojtar afër Demba Ba, i cili vrapoi i qetë drejt portës. “Është një gabim që mund ta bëjnë vetëm fëmijët 10 vjeç, është shumë e çuditshme ta shohësh. Do ta kuptoja, nëse do të ndodhte në minutën e fundit, por nuk kishin kaluar as 10 minuta lojë. Nuk arrij ta shpjegoj, si ka mundësi që të mos lësh asnjë lojtar në mbrojtje të portës?” – ka thënë Skolls për BT Sport.

Rio Ferdinand, i cili nga loja mbrojtëse kupton pak më shumë, ka reaguar me ironi: “Shpresoj që në dhomat e zhveshjes të jetë gjendur fajtori dhe ai të ketë qenë i çmendur”. Edhe në golin tjetër mbrojtja nuk është funksionoi më mirë. Pas një topi të rrëmbyer nga kundërshtari, tre mbrojtës të Mançesterit shkuan në të njëjtin drejtim, duke ndjekur Demba Ba dhe duke lënë të lirë Viskën, i cili dyfishoi i pashqetësuar.

Për dy ish-lojtarët e “Djajve” është një çështje mentaliteti dhe në ndeshjen e fundit mbrojtja ka paguar për të gjithë. Skolls ka kritikuar ashpër edhe të tjerët, sidomos sulmuesin Martial: “Çdo herë që e shihja, ishte duke ecur në fushë. A e di se për të shënuar duhet të lëvizë?”. Kaosi në “Old Trafford” vazhdon dhe trajneri Solskjaer rrezikon seriozisht vendin e punës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje