Fatjon Rupi – Në një vend si Shqipëria, ku rroga mesatare llogaritet 55 mijë lekë, të sigurosh mbi 100 mijë lekë me një punë të dytë, është luks. Vërtet një luks, që e kanë aktualisht arbitrat e futbollit. Pjesa më e madhe e tyre e kanë një profesion dhe arbitrimi, përveçse pasion, është një mundësi mjaft e mirë për të shtuar të ardhurat mujore. Një arbitër kryesor paguhet 40 mijë lekë për një ndeshje nga FSHF-ja, një shifër e konsiderueshme, kurse një asistent paguhet 22 mijë lekë. Janë vendosur këto pagesa, që “xhaketat e zeza” të jenë korrekte dhe serioze në përmbushjen e detyrës në fushë.
Por a ndodh vërtet kështu në futbollin tonë? A janë korrektë arbitrat tanë? A po bëhen ata faktor në garë? Përvoja thotë “Po”.

Është një çështje që ha diskutim. Arbitrimi është një hallkë mjaft e rëndësishme në mbarëvajtjen e garës dhe kuptohet që sa më korrektë të jenë arbitrat, aq më i bukur dhe interesant është kampionati. Ngjarjet e dy javëve të fundit, por edhe sezoneve të mëparshme flasin për një problematikë të theksuar në këtë sektor. Mjafton të sjellim në vëmendje ngjarjen më të freskët, ndeshjen Partizani-Flamurtari, ku arbitrat u bënë qesharakë me ndëshkimin misterioz me karton të kuq të Andi Ribajt. Rasti më flagrant, që vërteton se arbitrat vendosin shumë për titullin kampion, është ai i ndërkombëtarit Enea Jorgji pak sezone më parë në Kukës, kur ai bëri atë “kasaphanë” në ndeshjen me Skënderbeun. Raste të tjera gafash ka shumë. Penalltitë e dhëna apo të padhëna, pozicionet jashtë loje, faullet dhe kartonët janë shpesh objekt diskutimi, madje ka raste që dalin në plan të parë, duke anashkaluar esencën, futbollin e fushës.

Pse ndodh kjo gjë? Dikush thotë se arbitrat janë të korruptuar dhe marrin ryshfet nga presidentët, dikush mendon se ata janë të paaftë, dikush tjetër se ata thjesht zbatojnë direktivat e shefave të tyre. Lorenc Jemini, specialist gjykimi, ish-arbitër i FIFA-s dhe aktualisht moviolist në emisionin “Procesi Sportiv”, mendon se ka një pjesë arbitrash që bëhen protagonistë negativë, pasi nuk përballojnë dot presionin e ndeshjes, por edhe të tjerë që nuk kanë aftësitë e duhura. “Në 21 javët e para të kampionatit, arbitrat në përgjithësi kanë pasur një performancë të mirë, por këto dy javët e fundit, javët 22 dhe 23, kanë bërë disa gabime. Dhe natyrshëm lind pyetja: a po bëhen faktor arbitrat në garë? Në fakt, nuk mund të thuash se arbitrat po bëhen faktor, por mund të them se me gabimet e tyre po bëhen protagonistë negativë të kampionatit. Një nga arsyet kryesore të kësaj që po ndodh është sepse një pjesë e mirë arbitrash nuk e menaxhojnë si duhet presionin e një ndeshjeje futbolli. Një pjesë janë arbitra të rinj dhe pa eksperiencë, dhe një pjesë tjetër aq aftësi kanë”, – thotë Jemini për Gazeta “Si”.

Një gjykim më të ashpër ndaj arbitrave ka kryeredaktori i të përditshmes sportive “Panorama Sport”, Jetmir Halilaj, i cili mendon se ata po bëhen faktor në garë, madje shumë. Për Gazeta “Si”, Halilaj shprehet: “Sigurisht që arbitrat po ndikojnë, shumë madje. Ndoshta nuk e vendosin ata garën plotësisht, por janë një faktor i rëndësishëm në mbarëvajtjen e saj. Besoj se në dy fazat e para ka qenë një arbitrim i mirë, i pranueshëm. Jo perfekt, por i pranueshëm. Nuk më kanë lënë shijen e veprimeve tendencioze.
Por, me episodet e fundit duket sikur jemi kthyer në kohë, me arbitra që bëhen protagonistë më tepër se duhet, me arbitra që lënë për të dëshiruar dhe që janë gati të dyshimtë në mënyrën si sillen në fushë. Besoj që janë shumica të frustruar. Janë arbitra mesatarë dhe mbi nivelin mesatar, që drejtohen orientohen dhe komandohen nga një sistem i kalbur i strukturave drejtuese të arbitrave. Janë po të njëjtët njerëz, që ndërrojnë karriget apo rolet, që menaxhojnë sot arbitrat e futbollit. Kur arbitrat kanë pasur probleme dhe aty lart nuk ka ndryshuar ndonjë gjë, kur ata nuk reflektojnë ndonjë korrektësi të madhe, nuk kanë as tagrin dhe as moralin t’u kërkojnë arbitrave të jenë të ndershëm. Nuk ka mundësi që ata lart të jenë të kalbur dhe arbitrat të bëjnë diferencën. Jo, do të jenë njësoj. Janë më shumë të fokusuar të ruajnë ekuilibra, t’u binden shefave dhe më së shumti kanë prirjen që të kënaqin ata që kanë mbi kokë se të vendosin standarde për të ardhmen e arbitrimit në Shqipëri”.

Arbitrat në Shqipëri janë mbrojtur gjithmonë me justifikimin e “gabimit njerëzor”, por në shumë raste ky togfjalësh nuk “pi ujë” dhe nuk e mbulon atë që realisht ata kanë bërë në fushë. Nuk ka mundësi që “gabimet njerëzore” të jenë gjithmonë në kurriz të Flamurtarit apo Partizanit e ndonjë ekipi tjetër, të njohur si klube opozitare ndaj FSHF-së. Nuk ka mundësi që “gabimet njerëzore” i bëjnë gjithmonë të njëjtët arbitra. Sektori i gjykimit në FSHF i mëshon gjithmonë faktit se arbitrat janë të përgatitur, edhe pse fusha tregon tjetër gjë. Është ky sektor që mbyll njërin sy në testet fizike të arbitrave, apo dhe në rastet kur “bilbilat” bëjnë gafa me apo pa dashje, ndërkohë që masat duhet të jenë të rrepta, që gabimet të mos përsëriten.

Federata apo sektori i arbitrave asnjëherë nuk i bëjnë publike masat ndaj arbitrave, kur ata paraqiten dobët dhe gabojnë. Por në praktikë funksionon përgjithësisht kështu: një arbitër rri pak javë pushim, nëse ka bërë ndonjë gabim, dhe më pas gjithçka vazhdon sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Arbitrat e futbollit mbeten gjithmonë të përfolur në opinionin sportiv, ndoshta si kudo në botë, pasi këndvështrimet janë të ndryshme, por në Shqipëri shpesh tendenca për të ndihmuar apo goditur një ekip, shfaqet haptazi. Dhe në këtë rast gara nuk është “fair” pikërisht prej arbitrave, që me pagesat e përmendura në fillim të artikullit, duhet të jetë shumë më korrektë dhe më profesionistë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje