Ajo penallti e akorduar në shtesë në favor të Fiorentinës, në dëm të Interit, e parë dhe e stërparë në sistemin VAR, solli polemika të ashpra. Interi kryesonte 2-3 në Firence dhe pas atij gabimi të rëndë arbitrar humbi 2 pikë. Reaguan fuqishëm drejtuesit e klubit zikaltër, Marota e quajti një veprim të pashpjegueshëm, që solli një dëm të pariparueshëm tek Interi.
Arbitri i ndeshjes, Rozario Abiso, është kryqëzuar nga të gjithë në rrjetet sociale, por edhe nga shefat e tij. Nuk mund ta kalonte aq lehtë atë që ndodhi. Pas një ballafaqimi të gjatë me dizenjatorin e arbitrave në Serinë A, Ricoli, është vendosur që Abiso të pezullohet të paktën për 3 javë dhe të mos arbitrojë më ndeshje të Interit deri në fund të këtij sezoni. Edhe vetë arbitri nga Palermo e kishte kuptuar se e kishte katranosur. Përveç ndëshkimit të marrë nga sektori i arbitrimit, ai është përballur edhe me sulme nga më të ndryshmet në rrjetet sociale, madje edhe me kërcënime për familjen dhe shëndetin e tij.

Arbitri Abiso, 33 vjeç, është një sipërmarrës në fushën e arredimit. Ai është konsideruar një arbitër me perspektivë dhe i është dhënë besim kohët e fundit, por në ndeshjen Fiorentina-Inter, 3-3, e menaxhoi situatën në mënyrën më të keqe. E kuptoi se kishte marrë vendimin e gabuar dhe e kishte të qartë se ai gabim e kishte edhe një kosto. Tani i duhet të pushojë disa javë, të paktën 3, ndërsa me Interin nuk do të ketë më punë, të paktën për këtë sezon.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje